E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heroinë në autobusin e linjës Tiranë-Vlorë

Një tjetër korrier droge bie në pranga. Një sasi prej 2 kilogramë e 496 gramë heroine është gjetur dhe sekuestruar gjatë një kontrolli policor rutinë në një autobus të linjave interurbane që lidhin kryeqytetin me qytetet e jugut. Pikërisht në tregun e këtyre qyteteve dyshohet të ishte destinacioni i sasisë së drogës së kapur. Në orën 01:45 të së shtunës, agjentët e antidrogës kanë bërë arrestimin në flagrancë të Sajmir Asllanit, 24 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë. Pas kapjes dhe sekuestrimit të lëndës narkotike që dyshohet të jetë e llojit heroinë, i arrestuari nuk ka dhënë shumë informacion për grupin hetimor. Ai është treguar tejet i rezervuar, siç ndodh rëndom me rastet e kapjes së sasive të lëndës narkotike dhe arrestimet e personave që i kishin në dorëzim. Hetimet përgjithësisht mbeten te personi i arrestuar, pa kaluar dot në emra të personave të tjerë të implikuar në rrjetin e shpërndarjes dhe zotëruesve të mallit në dorën e parë. Sajmir Asllani, nga verifikimet e bëra, nuk rezulton si person me precedentë penalë. Është hera e parë që ai bie në duart e policisë për një vepër të rëndë penale, siç është akuza e ngritur ndaj tij pas kapjes në flagrancë, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Droga është sekuestruar gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës, gjatë një kontrolli të ushtruar në autobusin e linjës interurbane, që në ato çaste po kalonte në territorin e Durrësit. Burime të ndryshme policore ndajnë informacione të ndryshme mbi arsyen e kontrollit të autobusit. Deklarohet se autobusi u ndalua për një kontroll rutinë nga forcat e grupit të gatshëm të policisë, të tjera burime thonë se agjentët antidrogë kanë pasur një informacion paraprak për praninë e drogës në bagazhet e Asllanit dhe më pas kanë përgatitur "kontrollin rutinë". I rëndësishëm mbetet rezultati. Kontrolli ndaj mjetit transportues të linjës Tiranë-Vlorë u bë në zonën mes sektorit të Plepave dhe Shkëmbit të Kavajës. Ndërsa Asllani dhe bagazhet e tij janë zbritur nga autobusi, udhëtarët e tjerë janë lënë të lirë të vazhdojnë rrugën për në destinacionin përfundimtar. Ndërkohë, zotëruesi i drogës është dërguar në ambientet e Komisariatit të Policisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›