E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet ish-futbollisti, i vuri tritol makinës së një shtetasi



ELBASAN - Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një ish-futbollist pasi dyshohet se ka hedhur në erë me një sasi eksplozivi makinën e një qytetari në Elbasan për motive ende të paqarta. Në kuadër të një operacioni të koduar “Shkumbini”, policia ka vënë në pranga 28-vjeçarin Gjergji Gjika, ish-futbollist i Elbasanit, të akuzuar për vendosjen e lëndës shpërthyese. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së të hënës, në lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit. Sipas hetimeve të para mësohet se lënda shpërthyese është vendosur nga i riu në automjetin me targa EL 5048 B, në pronësi të qytetarit me iniciale G. M., 53 vjeç. Ende nuk është përcaktuar shkaku i vendosjes së eksplozivit, por policia ka ndaluar të dyshuarin 28-vjeçar. Nga këqyrja rezulton se makina është dëmtuar konsiderueshëm, ndërkohë që dëmtime ka pësuar edhe një tjetër mjet që ndodhej ngjitur me objektin e sulmit. “Nga kontrolli i makinës së të arrestuarit janë gjetur mbetje të lëndëve eksplozive dhe copëza të mbështjelljes së fitilit, - thanë burimet policore. Ata shtuan se po hetohet për të zbardhur shkakun e ngjarjes.

Arrestohet, grabiti mallin brenda në makinë

LEZHË - Persona të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme malli në një makinë në Lezhë. Burimet zyrtare nga policia lokale thanë se, rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm, policia është njoftuar që në lagjen “Besëlidhja”, në qytetin e Lezhës, është vjedhur në makinën tip “Benz 250”, me targë LE 8428 A, një sasi malli, këpucë dhe atlete të llojeve dhe markave të ndryshme, në pronësi të qytetarit, N. B., nga ky qytet. Menjëherë pasi është dhënë lajmi, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka bërë të mundur kryerjen e veprimeve të para hetimore, ku nga deklarimet e marra pronarit të mallit sqarohet se janë vjedhur rreth 70 palë këpucë dhe atlete, këpucë burrash dhe grash, që kapin vlerën e 150 mijë lekëve të reja. Uniformat blu thanë se janë duke punuar për identifikimin dhe zbulimin e autorëve të kësaj ngjarjeje. Hetimet po kryhen nga Prokuroria e Lezhës për veprën penale të vjedhjes.

Prangoset, gjendet i armatosur në mjediset e Kishës së Shna Ndout

KURBIN - Një i ri është kapur me armë pa leje në ambientet e Kishës së Laçit, në Rrethin e Kurbinit. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës pohojnë se rreth orës 16:00 të ditës së hënë është bërë arrestimi në flagrancë i Niko Popit, 43 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Lagjen Nr. 9 të Laçit. Sipas burimeve zyrtare, prangosja e tij është bërë pasi pas një informacioni në rrugë operative, tek rruga e Kishës së Shna-Ndout në qytetin e Laçit, pas një kontrolli fizik të ushtruar ndaj tij, i janë gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë me krehër të vendosur me 7 fishekë, një thikë me hapje anësore dhe një dorezë metalike. Ndaj Popit janë ngritur dy akuza: “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” si dhe “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”. Burimet thanë se hetimet në lidhje me këtë të arrestuar i kanë kaluar Prokurorisë së Kurbinit.

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›