Masterat e nivelit të dytë që ofrohen në Universitetin e Tiranës
Jonida Tashi
Zbardhen programet për studimet “Master i Nivelit të Dytë” që do të ofrojnë gjatë këtij viti akademik fakultetet e Universitetit të Tiranës. Aktualisht, procedurat për nisjen e këtyre studimeve në fakultete janë të “ngrira”, për arsye se pritet vendimi i qeverisë për kuotat dhe tarifat e studimit. Por, burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës bëjnë me dije se pritet që qeveria të miratojë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave vendimin që do të hapë rrugën për nisjen e studimeve “Master të Nivelit të Dytë”. Fakulteti i Histori-Filologjisë ofron një larmi më të madhe drejtimesh për masterin e nivelit të dytë. Ky fakultet ka propozuar nëntë programe studimi për ciklin e tretë të studimeve ose masterin e nivelit të dytë. Ndërsa fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës, ku do të ndiqen studimet e ciklit të tretë, kanë propozuar më pak programe të tilla studimi, që variojnë nga tre drejtime në gjashtë. Pas miratimit të këtyre propozimeve nga Ministria e Arsimit dhe qeveria do të nisë regjistrimi në fakultetet përkatëse për ndjekjen e studimeve master i nivelit të dytë. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Fatos Beja, viti akademik 2008-2009 në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, në programet e studimit të ciklit të tretë, “Master i Nivelit të Dytë”, me kohë të plotë, do të fillojë në datën 10 nëntor 2008 e do të përfundojë në datën 30 shtator 2009.
Kriteret
Për të ndjekur një program studimi “Master i Nivelit të Dytë” pranimi varet nga kreditet. Por një master të tillë mund ta vazhdojnë edhe studentët që janë diplomuar sipas sistemit akademik 4-vjeçar. Sipas ligjit për arsimin e lartë, për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Dytë” (MND), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të dytë apo një program të integruar studimi të ciklit të dytë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi, të cilat bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion. Kurse për të fituar një Diplomë të Masterit të Nivelit të Dytë (MND) studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të dytë, arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë shkencor ose profesional. Këto programe realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është minimumi një vit. Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Dytë” (MND).
Pranimi
Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve individë që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të dytë ose program studimi ekuivalent me të dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv. Kriteret e pranimit për standardet akademike të përzgjedhjes së kandidatëve për t’u pranuar në programet e ciklit të tretë të studimeve përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të tretë, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit formulon propozimin e saj pas konsultimit me institucionet publike të arsimit të lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të tretë, në institucionet publike të arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrisë përkatëse.
Studimet e ciklit të tretë
Studimet e ciklit të tretë përfshijnë programet e studimeve të doktoratës dhe masterin e nivelit të dytë. Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën tre vite dhe përfshijnë edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kandidatët, që kanë diplomë të nivelit të dytë dhe diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kredite të studimeve të organizuara teorike. Këta kandidatë duhet të paraqesin disertacionin e doktoratës, sapo të kenë plotësuar kushtet e tjera, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave për studimet e doktoratës. Në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).
“Master të Nivelit të Dytë” lëshojnë fakultetet e mëposhtme:
Fakulteti i Histori-Filologjisë
Drejtimi Departamenti i
Gjeografi fizike dhe mjedisore Gjeografisë
Gjeografi humane dhe Gjeografisë
rregullim territori
Studime letrare Letërsisë
Shkencë e bibliotekave Letërsisë
Gjuhësi Gjuhës
Histori Historisë
Arkeologji Historisë
Trashëgimi kulturore Historisë
Marrëdhënie ndërkombëtare
Fakulteti i Shkencave Sociale
Drejtimi Departamenti i
Kërkime dhe Edukim Pedagogji-Psikologjisë
Kërkim psikologjik klinik Pedagogji-Psikologjisë
Kërkim shkencor në punë sociale Fil.,Soc.,Shk.politike
Fakulteti i Infermierisë
Drejtimi
Laborator
Mami
Infermier i përgjithshëm
Fakulteti i Drejtësisë
Drejtimi civil
Drejtimi penal
Drejtimi publik
Dy mastera të rinj
Fakulteti i Ekonomisë
Administrim publik
Administrim biznesi
Kontabilitet
Financë
Studime ekonomike
Financat e ndërmarrjes
Shkolla e Studimeve Europiane
Drejtimi
Legjislacioni dhe studimet europiane
Politika dhe qeverisja në Europë
Diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së
5 Nentor 2008