Thikë në zemër, djali narkoman vret nënën e tij
Një vrasje e rëndë ka tronditur dje kryeqytetin. Altin Birko ka vrarë me thikë të ëmën, Shpresa Birkon, në kushtet e një depresioni të thellë. Vdekja e 53-vjeçares ka qenë e menjëhershme pas goditjes së beftë me thikë në zemër, ndërsa i biri ka kuptuar vetëm pak çaste më vonë se çfarë kishte bërë duke njoftuar policinë, ku më pas është vetëdorëzuar duke rrëfyer gjithçka. Të dhënat paraprake tregojnë se Altin Birko ka patur varësi ndaj drogës dhe kohët e fundit kishte shfaqur shenja të acarimit dhe mospërmbajtjes. I riu prej vitesh ka qenë një përdorues substancash narkotike. Në kërkim të substancës së vdekjes ka qenë i riu edhe kur po debatonte me të ëmën, ndërsa më pas kreu dhe aktin fatal. Forcat e rendit që kanë mbërritur në vendngjarje e kanë gjetur të riun në një gjendje të traumatizuar dhe të rënduar psikologjike dhe fizike, ndërsa e ëma e tij Shpresa gjendej e shtrirë pak më tutje në një pellg gjaku që kishte pushtuar dyshemenë si pasojë e goditjes fatale me thikë në zemër. Kjo vrasje është një rast i rrallë në skedarët e krimit në kryeqytet. Pak javë më parë, në rrethin e Kurbinit, trupat e pajetë të dy bashkëshortëve janë gjetur në gropën septike të shtëpisë së tyre në fshatin Shullaz. Ali dhe Gjyze Halili, 67 dhe 55 vjeç, dyshohet se u vranë nga i biri i tyre, Shkëlzeni, me mjete të forta dhe më pas trupat e pajetë u hodhën në gropën që mbledh ujërat e zeza, disa metra pas shtëpisë. Fillimisht policia ka vendosur të kontrollojë shtëpinë, pasi ka vënë re se djali i viktimave, Shkëlzen Halili, 31 vjeç, kishte dhënë deklarata kontradiktore në lidhje me zhdukjen e tyre. Burime konfidenciale nga grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje thanë që në ditët e para për gazetën se 31-vjeçari që vuan nga çrregullime mendore ka qenë shumë i paqartë në dëshminë e tij. Por shtatë muaj më parë sërish precedenti ka ndodhur në Fier ku djali me probleme mendore ka ekzekutuar të ëmën pas një sherri të tejzgjatur mes tyre.
5 Nentor 2008