E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, shpallen sot fituesit e fazës së tretë



Fituesit e fazës së tretë të pranimeve në universitete do të shpallen gjatë ditës së sotme. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bënë të ditur dje se përpunimi i të dhënave të çdo kandidati ka përfunduar dhe pritet vetëm dorëzimi i listave nga Agjencia e Pranimit në Ministri. Pas marrjes së listave me emrat e rinj të fituesve, Ministria e Arsimit ua dorëzon ato në formë të shkruar dhe elektronike universiteteve, ku kanë aplikuar kandidatët. Ky proces do të kryhet ditën e nesërme dhe brenda datës 6 nëntor universitetet duhet të afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre. Shpallja e fituesve të fazës së tretë është bërë nga APRIAL-i, i cili ka përpunuar të dhënat e marra nga formularët A3 dhe mbi bazën e tyre ka përgatitur listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara. Pas përcaktimit të fituesve të fazës së fundit të pranimeve në universitete do të nisë procesi i regjistrimit. Ky proces do të bëhet pranë sekretarive mësimore të fakulteteve deri në datën 15 nëntor 2008. Universitetet në datën 6 nëntor duhet të shpallin në vende të dukshme në mjediset e tyre datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim si dhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›