Krimi financiar, Ina Rama vizitë treditore në Itali
Kryeprokurorja Ina Rama do të zhvillojë një vizitë treditore në Itali. Qëllimi i vizitës është bashkëpunimi në rritje me Guardia di Finanzën italiane në çdo fushë ku operon kjo strukturë dhe për të goditur krimin ekonomik e financiar. Zyra për shtyp e Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se me ftesë të komandatit Gjeneral të Guardia di Finanza Itali, Cosimo D’Arrigo, prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Ina Rama, e shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga prokurorë dhe specialistë të Ministrisë së Financave, do të zhvillojë një vizitë treditore në Itali. Sipas të njëjtave burime, qëllimi i vizitës është bashkëpunimi në rritje me Guardia di Finanzan në çdo fushë ku operon kjo strukturë dhe për të goditur krimin ekonomik e financiar. Në axhendë janë planifikuar takime me përfaqësues të lartë të Guardia di Finanza. Në këto takime pritet të diskutohen edhe çështje për trajnime të përbashkëta ekonomike dhe luftën kundër krimit financiar.
Gjatë qëndrimit në Romë janë planifikuar gjithashtu vizita në disa reparte të Guardia di Finanzas ku do të prezantohen teknikat investigative që përdoren nga Guardia di Finanza për krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe trafiqeve të paligjshme.
5 Nentor 2008