Arrestohet ish-presidenti i klubit sportiv të Lushnjës
Ndaj tij u ekzekutua masa e sigurisë “arrest në burg” vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për efekt të njohjes së Vendimit Penal të Gjykatës së Apelit në Torino-Itali, që e ka gjykuar dhe dënuar në mungesë vitin e shkuar, me 13 vjet burg. Ai është akuzuar dhe dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda si mbajtja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. Veprimtaria ku ai është i përfshirë përmban elementet e organizatës kriminale ku bënin pjesë dhe Aldo Bare, Enver Dondollaku, etj, ku ai ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinonte aktivitetin e pjestarëve të tjerë të organizatës dhe orientonte mënyrën e shpërndarjes dhe administrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike. Pasi u vunë në dijeni mbi arrestimin, autoritetet më të larta policore Italiane kanë dërguar përgëzimet e tyre mbi veprimet e shpejta dhe profesionale të policisë shqiptare lidhur me këtë rast. Nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna për zbardhjen në tërësi të aktivitetit të tij kriminal dhe pasuror.