Arrestohet ish-truproja i Azem Hajdarit, sajoi atentatin ndaj vetes
SHKODER/ RITVAN DIBRA
"Marjan Gryka e sajoi atentatin e 27 shtatorit". Me këtë përfundim, duke e akuzuar për kallëzim të rremë e armëmbajtje pa leje, policia e Shkodrës arrestoi dje ish-truprojën e Azem Hajdarit.
Gryka u gjet i plagosur në këmbë me armë zjarri rreth 2 javë më parë në aksin rrugor Shkodër-Zogaj, duke pohuar se atij i kishin bërë atentat dy persona të veshur me uniformë policie. Por, dje në mesditë, situata ka ndryshuar në disfavorin e tij. Sipas deklaratës zyrtare të zëdhënëses së policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepija, mësohet se rreth orës 13:30 të ditës së enjte është bërë ekzekutimi i vendimit të gjykatës së rrethit për caktimin e masës së sigurisë "arrest në burg" ndaj 37-vjeçarit. "Ky vendim është mbështetur në bazë të provave biologjike dhe kimike, ekspertimit mjeko-ligjor dhe atij balistik të armës së gjetur në makinën e Marjan Grykës si dhe duke marrë parasysh thëniet kontradiktore të vetë të plagosurit gjatë momenteve të marrjes në pyetje në lidhje me ngjarjen", pohohet në deklaratë. Burime nga Komisariati i policisë së Shkodrës shprehen se të gjitha këto prova kanë bërë që policia të arrijë në konkluzionin se, Marjan Gryka nuk është plagosur nga persona të tjerë, siç pretendon ai, por është vetëplagosur. Në të njëjtën kohë burimet nga policia pohojnë se një nga provat më të forta që ka lënë dyshim, që në momentet e para të hetimit ka qenë mospërputhja e gjurmëve të hyrjes së plumbit në derën e makinës me pjesën ku është plagosur Gryka. Njëkohësisht gjatë hetimeve të mëtejshme është provuar se gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes korrespondojnë me armën e gjetur në kroskotin e makinës, një pistoletë, të cilën Gryka nuk e kishte me leje. Marjan Gryka është arrestuar në shtëpinë e të afërmve të tij në Shkodër, në prani të bashkëshortes dhe të fëmijëve të tij.
Menjëherë pas arrestimit, 37-vjeçari për arsye sigurie është dërguar në dhomat e paraburgimit në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Sipas të afërmve të Grykës, edhe pse policëve u është kërkuar që të tregojnë mandatin e arrestit, ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Ndaj tij pritet të rëndojë dhe akuza e "shpifjes ndaj policisë", pasi nga spitali ai deklaroi se i kishin futur një pistoletë në makinën e tij, ndërkohë që nuk ishte prezent asnjë familjar gjatë kontrollit dhe bllokimit të mjetit.