E Diel, 1 Nëntor 2026

Favorizoi kultivuesit, SHKB prangos oficerin antidrogë

 

SHKODER - Pranga oficerit të antidrogës, pasi favorizoi dy kultivues të bimëve narkotike. Operacioni i koduar "Bliri" u finalizua të mërkurën në darkë me arrestimin e Shpëtim Gurit, 34 vjeç, me detyrë specialist i antidrogës në drejtorinë e policisë Shkodër, si dhe Fatmir Kurtajn, 26 vjeç dhe Ndriçim Fikajn, 34 vjeç, që të dy nga fshati Ura e Shtrenjtë. Sipas policisë, të arrestuarit janë mbajtur nën vëzhgim për një periudhë tremujore duke bërë të mundur sigurimin e provave të mjaftueshme për dokumentin ligjor të aktivitetit kriminal të tyre. Nëpërmjet përgjimit të bisedave të tyre është mësuar se oficeri i policisë u kishte garantuar mbrojtje dy shtetasve të tjerë për kultivimin e 7 mijë rrënjëve të bimëve narkotike në fshatrat e Komunës Postribë, zonë të cilët e inspektonte vetë Guri. Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Ura e Shtrenjtë, policia e Shkodrës arriti të zbulojë dhe të asgjësojë sasinë e 7 mijë rrënjëve në periudhën e fund gushtit dhe të fillim shtatorit. Fillimisht nuk dihej pronësia e bimëve. Kjo edhe për faktin që kultivuesit mbroheshin prej inspektorit të antidrogës. Por më pas, u zbulua lidhja dhe SHKB-ja nisi hetimin për punonjësin e policisë, i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës.                  r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›