Përgjimet telefonike, qeveria licenson ministrin Alibeaj
Tiranë- Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme të qeverisë, një seri projektligjesh dhe vendimesh ndër të cilat dhe ajo “Për Disa Shtesa në Ligjin Nr.9157, Datë 4.12.2003,”Për përgjimin e telekomunikacioneve”. Ndryshimi i këtij drafti të kaluar sot në unanimitet nga anëtarët e Këshillit të Ministrave, lidhet me shtimin e organeve që mund të kërkojnë kryerjen dhe dhënien e të drejtës së përgjimeve.
Sipas këtyre dy neneve këtë funksion e marrin edhe “... ministritë, që kanë në kompetencë ose varësi të tyre shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore”. Konkretisht në nenin ku është bërë edhe ndryshimi thuhet se, “Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë se Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kane të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore.”
Me shtimin që i bëhet këtij neni këtë të drejtë për kryerjen e përgjimeve tashmë e merr edhe Ministria e Drejtësisë. Ndërsa për dhënien e të drejtës për përgjim, drafti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, por që ka kaluar parimisht edhe nga qeveria, citon se të drejtën e përgjimit e ka edhe ministri, që ka jo vetëm në kompetencë por edhe në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore.