Vendimi, përgjimet edhe me urdhër të Bodes
Qeveria ndryshon ligjin për përgjimet. Të drejtën për të kërkuar përgjimin e ka edhe Ministria e Financave
TIRANË-Në listën e institucioneve që gëzojnë të drejtën e përgjimit do të përfshihet edhe Ministria e Financave. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje disa ndryshime dhe shtesa të ligjit aktual për “Përgjimin e Telekomunikacioneve”, përmes të cilave sigurohet edhe përfshirja e Ministrisë së Financave në institucionet që do të kenë të drejtën për të kërkuar përgjimin. Në ligjin aktual, konkretisht në nenin 6 të saj, thuhet se Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë se Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kane të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore. Ajo çka Këshilli i Ministrave ka ndryshuar dje është pikërisht paragrafi ku bëhet fjalëpër shërbimet që do të kërkojnë përgjimet.Konkretisht, në draftin e përgatitur shtohet edhe një paragraf ku thuhet se krahas Ministrisë së Mbrojtjes, në institucionet që kërkojnë të drejtën e përgjimit, shtohet edhe ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore. Në këtë rast, Ministri i Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj i është referuar Ministrisë së Financave me argumentin se Ministria e drejtuar nga Ridvan Bode ka struktura policore dhe një gjë e tillë, sipas relacionit të qeverisë, ndihmon luftën ndaj evazionit. Ndërsa për dhënien e të drejtës për përgjim, drafti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë,citon se të drejtën e përgjimit e ka edhe ministri, që ka jo vetëm në kompetencë por edhe në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore. Ligji “Për përgjimin e telekomunikacioneve” përcakton procedurat qe duhet te ndiqen për përgjimin e telekomunikimeve nga institucione shtetërore informative te krijuara me ligj për realizimin e detyrave te tyre, si dhe procedurat qe duhet te ndiqen nga personat e ngarkuar për përgjim. Ligji i miratuar që para pesë vitesh, synon te rrisë efektivitetin e punës se institucioneve shtetërore informative për zbulimin e veprimtarisë antikushtetuese, kriminale dhe keqbërëse, si dhe te parandaloje pasojat qe mund te vijnë nga kjo veprimtari.