E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet kamerieri i plagosur tek “Calipso”

13/07/2009  DURRES- Tre ditë pas plagosjes së kamerierëve tek një lokal në Plazhin e Durrësit si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, njëri prej tyre është arrestuar. Sidni R., 18 vjeç, i lindur dhe banues në lagjen numër 13 është vënë në pranga në kokën e shtratit të mjekimit, pasi grupi hetimor në bazë të dëshmive të mbledhura e ka akuzuar për pjesëmarrje në sherr. Ngjarja e mesnatës të datës 10 korrik degjeneroi në përdorimin e pistoletave mes të akuzuarve Leonard Lusha 32 vjeç dhe Eduart Meta të dy të lindur në Kavajë dhe banues në Plazh. Sipas policisë së Durrësit sherri mes tyre ka lindur gjatë kohës që ata kanë qenë emigrantë në Itali dhe se të gjendur në të njëjtin lokal në Plazh kanë shtënë në drejtim të njëri-tjetrit. Shtetasi Lusha në kohën që ka tentuar të dalë nga lokali është përplasur me dy punonjës policie. 32-vjeçari ka goditur njërin nga punonjësit e policisë, por ata kanë mundur t’i vënë prangat në derë të lokalit të natës. Në vendin e krimit policia ka sekuestruar 5 gëzhoja pistoletë, të cilat kanë rezultuar të kenë dalë nga armë të ndryshme. Të plagosur kanë mbetur Sokol Shëngjergji 19 vjeç dhe Sidni Rustani 18 vjeç. Të dy i janë nënshtruar regjimit spitalor, ndërsa Rustani dje është prangosur dhe ruhet nga efektivat blu në një dhomë të veçantë të spitalit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›