E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektimi, 106 ndërtime pa leje në bregdetin e Vlorës



VLORË - Në zonën bregdetare të gjirit të Vlorës janë evidentuar 106 objekte pa leje, të cilat janë ndërtuar në periudha të ndryshme kohore. Burime zyrtare të Inspektoriatit të Ndërtimit, bënë të ditur të martën se 83 objekte rezultojnë të jenë ndërtuar në zonën nga Uji i Ftohtë deri në Rradhimë dhe të tjerat në pjesën bregdetare të Zvërnecit. Sipas burimeve, këto ndërtime janë kryesisht lokale, bare, restorante e hotele dhe më pak banesa, të cilat janë ndërtuar në afërsi të bregut të detit. Për këto objekte është bërë një përmbledhje e detajuar e funksionit që kryejnë, ndërkohë që ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet me to në të ardhmen. Për to është diskutuar edhe me përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, që administrojnë territorin përkatës, ku përfshihen bashkitë e Vlorës e Orikumit, si dhe komuna Qendër. Një vit më parë, Policia e Ndërtimit ndërmori një aksion për prishjen e objekteve pa leje në zonën bregdetare, gjatë të cilit u shkatërruan rreth 30 ndërtime të pa pajisura me dokumentacionin përkatës.

Bllokohen 225 steka cigare kontrabandë, ndalohet 41-vjeçari

GJIROKASTËR – Një 41-vjeçar ka arritur të kalojë përmes doganës një sasi cigare pa paguar detyrimet fiskale, por është ndaluar më vonë nga policia, teksa po udhëtonte me mallin në aksin Kakavijë-Gjirokastër. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se mesnatën e së hënë specialistët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Stefan Kaçi, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë. Prangosja e tij u bë për arsye se në automjetin e tij tip "Benz", me targë TR 8496 P, po transportonte cigare kontrabandë. Kontrolli u realizua në vendin e quajtur Haskovë në rrugën nacionale Kakavijë- Gjirokastër. Burime të policisë thanë se gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e tij, u gjetën 200 steka cigare të markës "Marlboro" e bardhë me pullë greke dhe 25 steka cigare e markës "Philips Morris" me pullë greke. Ky shtetas nuk kishte dokumentin shoqërues të mallit dhe dokumentin e zhdoganimit, si dhe paketat nuk kishin pullën fiskale të Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë. Ai është shoqëruar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku është bërë sekuestrimi i cigareve në cilësinë e provës materiale si dhe arrestimi në flagrancë i tij për veprën penale të "Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë".

Ndalohet katër kambistë, ishin të palicencuar

GJIROKASTËR – Ndalohen edhe katër shtetas që po bënin shkëmbim valute pa licencë gjatë kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme nga agjentët e policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Sipas burimeve zyrtare të kësaj drejtorie, në bashkëpunim me efektivat e komisariateve Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, në zbatim të planit të operacionit “Për goditjen e veprimtarisë së palicencuar të shkëmbimit valuator”, është bërë ndalimi i katër shtetasve, ku dy prej tyre janë kapur në kushtet e flagrancës. Sipas zëdhënësit Gentian Mullai, janë ndaluar shtetasit Selaudin Nuredini, lindur në vitin 1956 dhe Petrit Toska, lindur në vitin 1955; që të dy me banim në qytetin e Gjirokastrës. Në momentin e ndalimit, të dyve iu gjetën dhe sekuestruan 22.400 lekë të reja. Në kontrollet e ushtruara më vonë, u ndaluan edhe shtetasit Erion Koti, të cilit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12.000 lekë të reja dhe Asqeri Veizaj, lindur në vitin 1943 dhe banues në Gjirokastër. Gjatë kontrollit të tij iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 42.000 lekë të reja. Katër të ndaluarit do të hetohen në gjendje të lirë, “Për ushtrimin e palicencuar të veprimtarisë”

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›