Alarmi, bandat grabisin banesat në bregdetin e Durrësit
DURRËS – Rritja e numrit të turistëve në qytetin bregdetar të Durrësit ka shtuar ndjeshëm grabitjet e banesave dhe të lokaleve të ndryshme. Burimet policore raportuan disa vjedhje të kryera gjatë orëve të fundit, ku disa persona janë ndaluar nga forcat e rendit. Një grabitës është kapur në flagrancë nga familjarët teksa po vidhte një banesë, ndërsa dy të tjerë janë ndaluar për kryerjen e një sërë veprash të tilla. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut të Durrësit, mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23.00, u bë arrestimi ne flagrancë i shtetasit Fatjon Osmeni, banues në Tiranë, pasi po vidhte një shtëpi banimi në lagjen Nr. 13 në zonën e Plazhit. Duke iu referuar burimeve zyrtare, po të njëjtën ditë u bë arrestimi i shtetasit Arben Çela, pasi në bashkëpunim me shtetasin Edmond Troplini kanë kryer disa vjedhje gjatë muajit qershor në zonën bregdetare.
Kapet në flagrancë
Një 24-vjeçar, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, teksa po grabiste në banesë, është kapur nga vetë familjarët dhe iu është dorëzuar forcave të rendit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut, bëjnë të ditur se shtetasi P.T., banues në lagjen Nr. 13 në Plazh, ka denoncuar Fatjon Osmenin për grabitje. Ai ua ka dorëzuar “në pranga” hajdutin, i cili po tentonte të plaçkiste shtëpinë e tij. Sipas këtyre burimeve, 24-vjeçari Osmeni, ditën e hënë, rreth orës 18.00, ka tentuar të vjedhë banesën në plazh. Ai ka gjetur kohën kur shumë prej pjesëtarëve të familjes ishin në bregdet. Por, rastësisht, ai është kapur nga kryefamiljari, i cili më pas e ka dorëzuar në polici. Njoftimi zyrtar i Policisë bën të ditur se “u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë” iu kaluan për ndjekje prokurorisë së rrethit”.
Arrestohet banda
Një 19 vjeçar është arrestuar ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim nga policia pasi gjatë gjithë muajit qershor, ata kanë kryer disa vjedhje, duke tmerruar banorët e zonës së plazhit, në lagjen Nr. 13, në qytetin bregdetar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 23.00, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Arben Çela, lindur në Pogradec dhe me banim të përkohshëm në lagjen Nr. 17 në Durrës. Sipas zëdhënëses Ornela Cako, “arrestimi i tij u bë për arsye se dyshohet, se në bashkëpunim me shtetasin Edmond Troplini, lindur dhe banues në fshatin Arapaj të komunës Rrashbull, kanë vjedhur në mënyrë të përsëritur brenda muajit qershor 2008 disa lokale dhe shtëpi në zonën e Shkozetit dhe Plazhit. Burimet pohjnë se Çela dhe 24-vjeçari Troplini kanë grabitur mallra të tilla si; gjenerator, fshesë elektrike për automjete, vegla të ndryshme punë, 250 fidanë pemësh zbukuruese të llojeve të ndryshme, 30 metra kabëll elektrik, etj. Dy autorët “gjuanin kryesisht objektet në ndërtim ose shtëpitë e pushuesve që ndodhen në lagjen Nr. 13 në Durrës. Mes pronave të grabitura ka qenë edhe ajo e shtetasit F.B., i cili kishte bërë denoncimin në polici. Sipas burimeve zyrtare, janë kryer veprimet e para hetimore lidhur me këtë rast dhe materialet për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim” iu kaluan për ndjekje prokurorisë. Ndërkohë, po punohet për kapjen e shtetasit Edmond Troplini.
Po ashtu, policia ka arrestuar edhe shtetasin Gëzim Thartori, i cili akuzohet për grabitjen me dhunë të portofolit të një të moshuare më 29 mars të këtij viti. Ai ishte denoncuar nga 75-vjeçarja T.P., por vetëm dy ditë më parë është bërë i mundur ndalimi i tij. Pak ditë më parë Policia e Qarkut të Durrësit njoftoi planin e ri të masave në kuadër të sezonit turistik, ku ndër pikat kryesore janë edhe parandalimi i grabitjeve dhe arrestimi i personave të kërkuar për vepra të ndryshme penale.
25 Qershor 2008