E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dënuarit refuzojnë ushqimin, drejtoria e burgjeve: nuk ka grevë urie

Refuzimi i ushqimit thuhet se ka ardhur pas disa masave shtrënguese që janë marrë nga kjo drejtori ndaj të burgosurve që vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Fushë-Krujës

TIRANË Edhe pse ishte deklaruar nga ana e familjarëve të burgosurve se ata kanë nisur grevën e urisë që nga data 28 shtator, vetëm dje Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë të ditur se disa të burgosur kanë refuzuar ushqimin, për shkak se nuk pranojnë masat e reja që kjo drejtori ka marrë me miratimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Në fakt, masat shtrënguese në këtë burg janë marrë fill pas tentativës së arratisjes së katër të dënuarve, tre prej të cilëve ishin dënuar me burg përjetë. Për këtë tentativë dha dorëheqjen drejtori i burgut, ndërsa një gardian është arrestuar dhe ndodhet ende në burg për neglizhim të detyrave gjatë orarit të punës. Po kështu, disa gardianë të tjerë u hoqën nga puna.

Masat

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Burgjeve informon se masat e marra janë: Përcaktimi i një norme ushqimore që do të lejohej të futej në regjimin e brendshëm nga familjarët për personat me liri të kufizuar; Lejimi i një mjeti të komunikimit, 1 televizor, 1 manjetofon, 1 digitalb për çdo qeli dhe jo më shumë, si dhe lejimi i një pajisjeje freskuese dhe ngrohëse për dhomë. “Marrja e këtyre masave nuk u mirëprit nga disa persona me liri të kufizuar të IEVP Fushë-Krujë, të cilët prej dy ditësh refuzuan të merrnin vaktet e ushqimit të ofruara nga institucioni dhe ndërkohë konsumonin ushqimet e sjella nga familjarët”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sqarimi

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka sqaruar se deri dje, personat me liri të kufizuar që kanë refuzuar ushqimin e institucionit nuk kanë nënshkruar asnjë peticion për grevë urie, në mënyrë që institucioni të marrë masat kundrejt dispozitave ligjore në fuqi “Për zhvillimin e grevave të urisë”. Në të njëjtën kohë, refuzuesit e ushqimit kanë vazhduar normalisht takimet me familjarët e tyre. Nga informacionet e përcjellja nga stafi i IEVP Fushë-Krujë, numri i personave që kanë refuzuar të marrin ushqimin e institucionit është ulur dhe gjendja paraqitet normale.

Disa ditë më parë, me një deklaratë drejtuar mediave u mësua se 300 të burgosur në burgun e Fushë-Krujës ndodheshin në grevë urie prej 3 ditësh, pasi kërkonin t'i jepet fund ushtrimit të dhunës ndaj tyre nga gardianët dhe përmirësimin e kushteve. Sipas familjarëve të të burgosurve, dhuna kishte nisur pas tentativës për arratisje të katër të burgosurve të këtij burgu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›