E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet ndihmësi i Jaho Mulosmanit

Policia e Vlorës ka arrestuar dje një nga njerëzit që dyshohet se mbështetën Jaho Mulosmanin dhe bashkëpunëtorët e tij në atentatin ndaj deputetit demokrat, Azem Hajdari.

Ferdinand Lamaj, lindur në Fier dhe banues në Vlorë, u arrestua nga policia e Vlorës, pasi ishte shpallur person në kërkim.

Lamaj, 45 vjeç, ishte dënuar në mungesë nga gjykata italiane me 13 vjet e 9 muaj heqje lirie. Policia e Vlorës ka mundur ta prangosë atë ditën e djeshme në banesën e tij në lagjen “Hajro Cakërri” të qytetit.

Arrestimi i Ferdinand Lamajt në Vlorë ka vënë në lëvizje edhe policinë e Fierit, jo vetëm pse ky qytet është vendlindja e tij.

Aktiviteti i Lamajt gjatë viteve të fundit është konsideruar si objekt hetimi për policinë e Fierit. Krerë të policisë së qarkut kanë thënë për “Shqip” se pas arrestimit të ndodhur në Vlorë, të Ferdinand Lamajt, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kërkuar informacion për të.

 “Menjëherë janë nxjerrë të gjitha dosjet dhe informacionet e policisë që rëndojnë mbi Ferdinand Lamajn”, ka thënë drejtori Shemsi Premçi.

Kreu i policisë së qarkut tregon për “Shqip” se Ferdinad Lamaj me vendlindje në Fier dhe vendbanim të fundit në qytetin e Tiranës është dënuar në Itali me 13 vjet burg, për veprat penale trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni.

Ndërkohë që vëllai i Lamajt vuan në Itali dënimin për të njëjtat vepra penale. Gjithashtu, sipas drejtorit të Policisë së Qarkut të Fierit, Shemsi Premçi, bëhet e ditur se Ferdinand Lamaj ka qenë person nën hetim për vrasjen e Azem Hajdarit.

Burime të tjera policore tregojnë se Lamaj ishte mik i afërt i ish-kreut të Komisariatit të Tropojës, Fatmir Metaj.

Ndërkohë që burimet policore të Fierit kanë thënë se Ferdinand Lamaj konsiderohet si pronar i automjetit, të cilin e ka përdorur Jaho Mulosmani dhe mbështetës të tij për t’u larguar nga vendi i ngjarjes më 12 shtator 1998, pasi ekzekutuan Azem Hajdarin.

 Ky informacion mësohet prej policisë së Fierit se është zbardhur nga dëshmitë e seancave gjyqësore të autorëve të dyshuar të vrasjes së Azem Hajdarit.

 Burime nga zyra e antiterrorit në Drejtorinë e Policisë Fier tregojnë për “Shqip” se mes të njohurve të Mulosmanit ka qenë edhe i arrestuari i së enjtes në Vlorë, Ferdinand Lamaj.

Jaho Mulosmani ka arritur të sigurojë mes shumë automjeteve të tjera edhe automjetin tip “Benz Mercedes” me targë VL0646B, pronë e shtetasit Ferdinand Lamaj, që u përdor nga autorët e vrasjes për të shkuar dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Mes tre automjeteve të përdorura nga skuadra e ekzekutimit të deputetit Azem Hajdari ka qenë edhe automjeti i Ferdinad Lamaj. Dy automjetet e tjera kanë qenë: një automjet i ngjashëm me makinë policie e tipit “Iveko”, si dhe një automjet tip “Audi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›