Zbulohet shkaku i infektimit të tetë personave

Kampioni i marrë nga shishja e hapur që është përdorur për tretjen e medikamenteve ka rezultuar me ngarkesa bakteriale. Kjo ka qenë përgjigjja e laboratorit të qendrës sanitare pas mbjelljes së kampioneve të marra nga medikamentet, serumet dhe solucioni fiziologjik.
Përgjigjja e këtyre analizave laboratorike i është përcjellë edhe Drejtorisë së Spitalit civil të Korçës për llogari të të cilit është bërë edhe bllokimi i menjëhershëm i solucionit, serumit dhe një pjesë të ilaçeve që kanë përdorur të sëmurët që trajtohen në pavijonin e spitalit.
Sipas drejtorit të këtij spitali, Ilia Jatagani, në përgjigjen e analizave me mbjellje ka dalë se një flakon ka qenë i kontaminuar, ndërsa analizat e të gjitha kampioneve të tjera kanë rezultuar të pastra.
“Pas kryerjes së analizave me mbjellje dhe daljes së rezultatit nga laboratori, kemi një konfirmim se nga sasitë e bllokuara vetëm një nga shishet e përdorura me solucion fiziologjik ka dalë i kontaminuar.
Këto solucione, të cilat përdoren për tretje, vijnë të gjitha të kontrolluara dhe të paketuara dhe afati i skadencës ka qenë deri në vitin 2012.
Problemi nuk ka ardhur si pasojë e kalimit të afatit të përdorimit, pasi të gjitha janë brenda standardeve dhe afateve kohore, por për shkak se lënda ka qenë e ndotur. Kjo ju është dhënë pacientëve ndërsa nuk kemi qenë në dijeni se një nga shishet mund të ishte e infektuar”, thotë Jatagani.
Sipas tij, masat janë marrë që në fillim me bllokimin e të gjitha medikamenteve që përdoren në këtë repart edhe pse reaksioni ka qenë i pjesshëm.
Ajo që ka ndodhur në repartin e kardiologjisë ka prekur nëpërmjet një reaksioni pirogen vetëm një pjesë të të sëmurëve. Jo të gjithë pacientët e shtruar në repartin e kardiologjisë kanë pësuar një reaksion të tillë.
Sipas të dhënave, nga gjithë të shtruarit në pavijon dhe në dhomat përkatëse reaksioni ka prekur vetëm pacientët të cilëve ju është bërë injeksioni, duke përdorur si tretës solucionin e shishes së kontaminuar.
Burime të spitalit civil deklarojnë se bëhet fjalë për një shishe 300 ml, nga e cila është marrë solucioni për tretjen e medikamentit para injeksionit.
Burime të spitalit thonë se shishja është kontaminuar, pasi nuk ka qenë e izoluar. Tretësi, sipas këtij burimi, ka qëndruar i hapur dhe që këtu është marrë nëpërmjet shiringës për tretjen e ilaçeve.
Për shkak se nuk është ruajtur në kushtet e duhura, edhe pse mund të ketë qenë steril dhe i kontrolluar, solucioni ka pësuar ndotje.
Për këtë çështje, drejtori i spitalit të Korçës thotë se shishja mund të ketë qenë e hapur, por ka përjashtuar një gabim të mundshëm nga ana e personelit dhe infermiereve që kanë përdorur këtë tretës.