Përdorimi i armëve? Edhe drejtorët e shkelin ligjin

Pavarësisht se nuk dihet se çfarë projektesh ka Policia e Shtetit për këtë problem, pasi ngjarja e Butrintit e ka tronditur dhe e ka angazhuar totalisht në dokumentimin e saj, specialistët e vjetër të policisë deklarojnë se zgjidhja vjen vetëm nëpërmjet hartimit të një programi të detajuar dhe afatgjatë.
Ish-funksionarët e lartë të policisë, Bilbil Mema dhe Albert Dervishi, deklaruan për “Shqip”, se “më parë, stërvitjet dhe kontrollet për armët e policisë ishin më të shpeshta, pasi ato janë të domosdoshme, përderisa ligji u lejon atyre të mbajnë dhe të përdorin armatimin në situata të caktuara.
Ata kanë dhënë mendimet e tyre personale mbi këtë çështje, duke argumentuar se ky është një problem serioz dhe që kërkon zgjidhje të shpejtë.
Sipas të dhënave, kjo çështje është bërë problem gjatë inspektimeve, ku është vënë re jo profesionalizëm, papërgjegjshmëri e punonjësve të policisë për kujdesin ndaj armës, deri te përgatitja tejet e dobët gjatë qitjes.
Bilbil Mema
Ish-funksionari i lartë i policisë, i cili ka qenë edhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bilbil Mema, ka kritikuar çështjen e përdorimit të armëve nga punonjësit e policisë.
Ai shpjegoi se në shkurt të vitit 1998, është miratuar ligji për përdorimin e armëve të zjarrit, për mënyrën e përdorimit të tyre, por deri në atë kohë dhe në vazhdim, nuk mungonin programet e stërvitjes.
“Të gjithë punonjësit e policisë kalonin në një testim të tillë, pavarësisht se një pjesë e mirë e tyre vinin edhe nga radhët e ushtrisë dhe ishin të disiplinuar në përdorimin e armës. Ne kishim programe vjetore, të cilat ishin shtrirë në semestra dhe në çdo drejtori qarku kishte komisione vlerësimi, ku bëheshin qitje dhe mbaheshin shënime për dosjen personale të secilit punonjës policie”, shpjegon Mema për praktikat e vlerësimit të qitjes gjatë karrierës së tij në Policinë e Shtetit.
Ai vë në dukje se edhe në atë kohë, ka pasur mangësi për këtë çështje, pasi mungonin poligonet për t’u ushtruar të gjithë.
“Por, situata u vështirësua, pasi shumë punonjës u veshën në një periudhë të shkurtër dhe pa trajnime. Pra morën armët në dorë, pa i njohur ato”, argumenton ish-kreu i policisë, Bilbil Mema për gjendjen skandaloze sot, duke shtuar se kishte kërkuar herë pas here testime për ta.
Më tej, ai shprehet se arma është një mjet që e mbron policin, por nuk duhet harruar se është edhe shenjë e identifikimit të tij.
“Është një mjet dallues bashkë me uniformën blu. Vërejmë se kemi drejtorë, apo zëvendësdrejtorë, që pavarësisht se e kanë të parashikuar me ligj, nuk mbajnë as uniformë dhe as armë, veprim i cili duhet të kryhet me patjetër, pasi këto mjete e dallojnë nga të tjerët”, shprehet Bilbil Mema.
Ndërsa për zgjidhjen e kësaj çështjeje, Mema mendon se duhet bërë një program që të kalojë në testim me komision të veçantë të gjithë punonjësit e policisë, e kjo duhet përsëritur sa më shpesh të jetë e mundur, ashtu siç veprojnë të gjitha vendet e botës.
“Por, problemi qëndron te menaxhimi dhe organizimi, sepse ky program mund të bëhet me një urdhër të veçantë dhe të ndiqet në çdo drejtori apo komisariat policie”, u shpreh Bilbil Mema.
Albert Dervishi
Edhe ish-funksionari tjetër i lartë i policisë, Albert Dervishi, ish-drejtor Rendi, u shpreh për “Shqip” se, gjatë viteve në karrierë, janë kryer shpesh seanca stërvitore për përdorimin e armës dhe mirëmbajtjen e tyre.
“Në kohën time, zhvilloheshin qitje katër herë në vit dhe merrnin pjesë pothuajse të gjithë efektivët e policisë. Kjo ishte një masë e nevojshme, qoftë për përgatitjen personale të efektivëve të policisë, qoftë edhe për kujdesin dhe kontrollin e armës personale”, tha Dervishi.
Sipas tij, stërvitja e tyre niste që nga programet e Akademisë së Policisë, deri te testimet e shpeshta, duke përdorur qoftë poligone të mbyllura, por edhe të hapura. “Unë mendoj se testimi duhet medoemos, pasi ligji parashikon që punonjësi i policisë të përdorë armën mjaft mirë.
Efektivët mund të përdorin armën, qoftë për mbrojtje të nevojshme, qoftë edhe për nevoja ekstreme. Siç është e parashikuar, një punonjës policie e përdor atë kur i kërcënohet jeta seriozisht, ose kur i rrezikohet jeta një individi nga elementë të tjerë.
Por, për këtë aspekt, punonjësi i policisë duhet të njohë edhe anën juridike, e cila parashikon qartë se kur mund ta përdorë atë”, detajon Albert Dervishi.
I pyetur se si mund të zgjidhet ky problem, ish-funksionari i policisë deklaron se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet praktikës.
Sipas tij, duhet të aplikohen praktika të thjeshta mësimore, për përdorimin e armatimit personal nga punonjësit e policisë, sidomos ata të trupës së shërbimit, me qëllim perfeksionimin e përdorimit të armatimit nga ana e tyre.