Arrestohet ndihmësi i vrasësit
Etleva Delia
Policia e Tiranës arrestoi dje në orët e para të mëngjesit Isa Lushën, të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ndodhur të dielën te Dogana, të Artan Allushit. Lusha është ndaluar kur ndodhej i strehuar në një godinë në ndërtim e sipër në Paskuqan, disa metra larg shtëpisë së tij. Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se pritet edhe arrestimi i autorit, Bashkim Qefalia, si dhe i bashkëpunëtorit tjetër të tij, i cili është një i ri nga Tropoja. Policia e Durrësit ka informuar kolegët e kryeqytetit se, ka të dhëna operative që tregojnë se i dyshuari Qefalia është parë në zonën e Shkozetit dhe bashkë me të mund të jetë edhe personi tjetër në kërkim. Mbrëmjen e djeshme një grup oficerësh të Seksionit të Krimeve Kundër Jetësh dhe Shëndetit, janë nisur në drejtim të Shkozetit, në një operacion për arrestimin e 39-vjeçarit Bashkim Qefalia. Të njëjtat burime thanë se 23-vjeçari Isa Lusha, i cili është arrestuar me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, ka rrëfyer skemën se si ka ndodhur ngjarja, si dhe konfliktin 3-vjeçar mes familjeve Allushi dhe Qefalia. Konflikt që sipas tij kishte nisur për kushërirën e viktimës, vajzës adoleshente të të plagosurit, Kujtim Allushi.
DESHMIA E LUSHES
I arrestuari Isa Lusha, është marrë në pyetje për disa orë rresht nga oficerët e hetimit të vrasjeve. Ai ka treguar për policinë se ditën e dielë, kur ndodhi vrasja, ai bashkë me Bashkim Qefalinë dhe personin tjetër, kishin shkuar për t’u sqaruar me familjen Allushi. “Artan Allushi i kishte kërkuar takim Bashkimit, për të sqaruar një konflikt familjar, në të cilin ata ishin përfshirë prej gati 3 vitesh”, mësohet se ka thënë i arrestuari, Isa Lusha. Ai ka rrëfyer edhe shkaqet që kishin hapur këtë konflikt mes familjes Allushi dhe Qefalia. Sipas deklarimeve të tij në polici, mësohet se Bashkim Qefalia para 3 vitesh kishte kërkuar që të fejohej me vajzën e Kujtim Allushit, gjë që nuk është pranuar nga familja e vajzës. Refuzimi ka ndodhur për faktin që Qefalia ishte i martuar dhe kishte fëmijë, e mbi të gjitha ishte shumë më i madh në moshë se vajza. “Më gjithë kundërshtimin nga ana e familjarëve të vajzës, Qefalia ka vazhduar këmbënguljen e tij, me kërcënime dhe presione të ndryshme”, tha policia. Për këtë shkak, familjarët e vajzës adoleshente janë detyruar që ta fejojnë atë. Por Qefalia sërish ka vazhduar këmbënguljen e tij, duke i dërguar mesazhe të ndryshme të fejuarit të vajzës, i cili pasi ka biseduar me vëllain e saj ka vendosur të prishë fejesën. Në këto kushte, Kujtim Allushi bashkë me të birin Nertilin dhe nipin e tij, Artan Allushin, kanë kërkuar që të takojnë Bashkim Qefalinë në afërsi të Doganës në Tiranë. Autori ka shkuar i përgatitur në këtë takim, duke marrë me vete pistoletën, por edhe dy miqtë e tij. Pas debatit me fjalë, ka nisur përleshja mes palëve, derisa Qefalia është plagosur në kokë dhe pas kësaj ka nxjerrë armën duke qëlluar gjashtë herë në drejtim të palës tjetër. Më pas ka kërkuar ndihmën e miqve të tij për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
BILANCI
I vrarë
Artan Allushi 26 vjeç
Të plagosur
Kujtim Allushi 50 vjeç
Nertil Allushi 22 vjeç
Autorë të dyshuar
Bashkim Qefalia 39 vjeç
Isa Lusha 23 vjeç