E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lirohen” 20 pasagjerët e marrë peng në autobus

 

Trazhgim Sokolaj

Një person i armatosur ka marrë peng 20 persona në një autobus udhëtarësh. Policia sinjalizohet për ngjarjen dhe duke parë rrezikshmërinë e situatës vendos të aktivizojë repartin e forcave speciale RENEA për lirimin e pengjeve. Një grup efektivash të “kalitur” për aksione të tilla me rrezikshmëri të lartë, niset drejt vendit të ngjarjes dhe pasi afrohet pranë autobusit që ka ndaluar, fillon veprimet operacionale. Nga të dhënat operative merret informacioni se pengmarrësi quhet Lekë. Efektivi i Njësisë së Negocimit, pjesë e repartit RENEA, fillon veprimet operacionale duke hyrë në kontakt direkt me rrëmbyesin e pasagjerëve. “Lekë, çfarë kërkon?”, pyet efektivi i RENEA-s pengmarrësin, duke qëndruar në një zonë ku keqbërësi mund të shikojë personin që po i flet, i cili nuk mban armë në dorë, ndërkohë është i mbuluar nga snajperët e vendosur në një rreze më të largët. Përreth autobusit dhjetëra efektiva të RENEA-s, skuadra e snajperëve kanë zënë pozicione dhe me anë të dylbive të armës ndjekin çdo veprim të agresorit. Në këtë kohë, menjëherë pasi dëgjon policinë, pengmarrësi afrohet tek njëri prej pasagjerëve, e tërheq duke e ngritur në këmbë dhe i vendos pistoletën në kokë. Me zë të lartë ai shprehet: “Dua 50 mijë euro këtu, një makinë të blinduar dhe asnjë polic vërdallë”. Ultimatumi i pengmarrësit, siç duket në shenjë presioni ndaj policisë, vazhdon më tej. “Jemi në rregull? Bëni siç u them unë se i vrava këta”, thotë rrëmbyesi duke drejtuar armën nga pasagjerët në autobus. Negociatori i RENEA-s është i qetë nga ana tjetër. “Qetësohu Lekë”, i thotë ai pengmarrësit – unë jam këtu për të të ndihmuar, mos e rëndo situatën tënde, mos lëndo njeri Lekë”, vazhdon më tej oficeri i negocimit komunikimin e tij me autorin e ngjarjes. Ndërkohë që kolegu i tyre vazhdon të qetësojë pengmarrësin, forca të tjera të RENEA-s janë afruar nga të gjitha anët në drejtim të dyerve të autobusit. Pa rënë në sy të keqbërësit ata hedhin bomba tymuese dhe më pas hyjnë në autobus. Rrëmbyesit i del situata jashtë kontrollit. Ai nuk shikon pasagjerët, por as forcat e policisë, të cilat i kanë vënë prangat në duar. Tymi i bombave nis të ravijëzohet në kohën kur një efektiv i RENEA-s del nga porta e autobusit duke mbajtur në pranga rrëmbyesin. Kjo ishte një nga situatat e shumta të aksioneve me vështirësi të lartë, të inskenuara dje në ambientet e Repartit të Forcave elitë të policisë shqiptare RENEA. Ushtrimet simuluese u zhvilluan në kuadër të demonstrimit të aftësive profesionale-taktike të efektivave të RENEA-s në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman Bernd Borchard, i cili i dorëzoi repartit special pajisje moderne policore të dhuruara nga Qeveria e Gjermanisë.

Gjermania iu dhuron pajisje RENEA-s

Në një ceremoni ku ishin të pranishëm zyrtarë të policisë së shtetit dhe Ambsadori gjerman në Tiranë, repartit RENEA iu dhuruan dje pajisje policore moderne për kryerjen e detyrave operacionale. Në vazhdimësi ambasada dhe Qeveria Gjermane kanë mbështetur prej vitesh repartin RENEA duke kontribyuar jo vetëm në përmirësimin e infastrukturës materiale por edhe me programe tajnimi dhe me zbatimin e reformave efektive. Në pajisjet e e dhuruara bëjnë pjesë mjete logjistike për ndërhyrje në raste zjarri, pajisje për çaktivizimin e lëndëve plasëse, armë, uniforma speciale, veshje mbrojtëse, pajisje ndriçimi, dylbi dhe një sërë materialesh të tjera.

RENEA, reparti elitë i policisë që kërkohet në situata kritike
TIRANE – Me një përbërje prej rreth 120 efektivash, reparti i forcave speciale RENEA prej vitesh është vlerësuar brenda dhe jashtë vendit si një prej njësive elitë të policisë shqiptare. Në aktivitetet ballkanike dhe më gjerë, trupat e repartit RENEA kanë dhënë tregues për t’u vlerësuar në raport me forcat e reparteve të ngjashme në vendet fqinje. Ndërkaq aksionet e zhvilluara në situata të vërteta emergjente në Shqipëri kanë qenë të panumërta. Arrestime personash të shumëkërkuar, zgjidhje në situata pengmarrjeje apo raste emergjencash civile, siç ishte tragjedia e Gërdecit apo rastet e mbytjes së personave në liqen apo në det. Në çdo situatë kritike për rendin dhe sigurinë publike si dhe për jetën e qytetarëve, sipas rastit është ndërhyrja e polumbarëve të RENEA-s, negociatorëve të këtij reparti apo skuadrave të xhenjos për zgjidhjen e situatave të vështira. Në dekadën e fundit, RENEA, pavarësisht rrezikshmërisë së lartë të aksioneve numëron shifra në zero sa i përket dëmtimeve të jetës së qytetarëve apo efektivave të repartit që kanë marrë pjesë në aksione të vështirësisë së lartë. tr.so 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›