Arrestohet në Berat grabitësi i kishës së Shëntriadhës
KORÇË – Arrestohet në Berat i kërkuari për grabitjen e kishës në Korçë. Burime zyrtare të Policisë thanë se është realizuar arrestimi i shtetasit Brahim Cacollari, 31 vjeç lindur dhe banues në Drenove, Berat, i dënuar më parë për vjedhje. Policia njofton se ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Korçës, më datë 7 prill 2010, për veprën penale të “vjedhjes me thyerje”. Sipas burimeve zyrtare, i arrestuari akuzohet konkretisht për vjedhjen e kishës së Shëntriadhës, ngjarje kjo e ndodhur më datë 1 prill 2010 në Lagjen Nr. 4 në qytetin e Korçes, ku autori ka përvetësuar një shumë lekësh. Që prej asaj periudhe nisën hetimet, të cilat sollën identifikimin e autorit dhe më pas prangosjen e tij.
Bie nga kati i katërt e moshuara, ende mister rrethanat e vdekjes
TIRANË - Një e moshuar gjeti vdekjen në afërsi të Tregut Elektrik në kryeqytet, pasi ra nga kati i katërt i pallatit ku banonte. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës mësohet se viktima është shtetasja Manushaqe Ramodhi, 70 vjeçe. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Tiranës, e cila tha se ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit të së enjtes, kur një person i moshuar ka rënë nga kati i katërt i pallatit në rrethana ende të paqarta. Burime policore sqarojnë se rënia nga lartësia mund të ketë qenë aksidentale, por nuk përjashtohet edhe pista e vetëvrasjes apo e vrasjes. Sipas dëshmitarëve okularë të ngjarjes, moment i hedhjes së viktimës nga pallati nuk është i qartë pasi viktima është konstatuar në trotuar. Megjithatë, policia, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, tha se ka marrë kontakt me familjarët e viktimës me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Policia bëri të ditur se ngjarja mund të jetë aksidentale ose një vetëvrasje e qëllimshme.
Atak kardiak, vdes në tragetin e linjës Durrës – Trieste filipinasi
DURRËS – E lë zemra shtetasin aziatik teksa udhëtonte me traget në linjën detare Trieste-Durrës. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës është gjetur i vdekur në Portin e Durrësit shtetasi Uilson Rosario Gabuten, 51 vjeç, nga Filipine. Ekuipazhi i tragetit tha se kishte konstatuar kufomën duke njoftuar menjëherë policinë. “Menjëherë nga ana jonë u formua grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para. Si rezultat i tërësisë së veprimeve hetimore të kryera dyshohet se vdekja është shkaktuar si pasojë e një ataku kardiak (ky shtetas vuante edhe nga hipertensioni)”, - thonë burimet zyrtare. Trupi i viktimës është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Zëdhënësja e Policisë së qarkut të Durrësit bën të ditur se “materialet i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit”.
16 Prill 2010