E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët e Bandës së Lushnjës, kallëzim penal për Gramoz Selamin



Laureta Rryçi

Avokatët e të pandehurve të bandës së Lushnjës pritet të depozitojnë një kallëzim penal për Gramoz Selmanin. Avokatët deklaruan se kallëzimi do të jetë për dy vepra penale; për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim të dokumenteve. Deklarata u bë dje gjatë seancë gjyqësore, ku mbrojtësit shtuan se do t’i drejtohen me një kërkesë zyrtare edhe Prokurorisë së Përgjithshme, në mënyrë që të sqarohet qartë statusi i Selmanit. Sipas avokatëve, nëse Selmani nuk rezulton i pandehur, atëherë ata do ta thërrasin sërish për të dëshmuar në proces. Kjo për shkak se avokatët refuzuan ta pyesin Selmanin disa ditë më parë kur ai u thërrit për të dëshmuar për krimet e bandës. Reagimi i avokatëve vjen pas kërkesës së Prokurorisë për të thirrur si dëshmitar Gramoz Selmanin. Ky i fundit tregoi disa ditë më parë në sallën e gjyqit krimet dhe vepra të tjera penale që, sipas tij, kanë kryer anëtarët e bandës së Lushnjës.
Për të njëjtën dëshmi reagoi dy ditë më parë edhe avokati Vladimir Meçi, që mbron të drejtat e Aldo Bares. Ky i fundit cilësohet nga institucioni i akuzës si kreu i bandës së Lushnjës.
Kallëzimi
Kallëzimi që pritet të depozitojnë avokatët gjatë ditëve në vazhdim pritet të sjellë dhe shumë ndryshime në proceset që po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas avokatëve, nëse Selmani rezulton i pandehur, atëherë dëshmia që i është bashkangjitur dosjes për gjykim nuk ka vlerë për procesin në fjalë. Megjithatë, përgjigjja zyrtare e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me statusin e Selmanit duket se do t’i vërë kapakun çdo aludimi të palëve në këtë proces.
Dëshmia
Selmani ka rrëfyer momentet se si u përça banda e Lushnjës. Fillimisht ai pohoi rrethanat kur u vra Genc Kashari. Në momentin e krimit ai gjendej së bashku me Artur Dajën dhe viktimën. “Një makinë Audi qëlloi mbi ne dhe mbeti i vrarë Kashari. Kashari u vra nga Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares. Nga këto të shtëna shpëtoi për mrekulli Artur Daja, i cili ishte shumë mik me Genc Kasharin dhe me mua. Ramadan Shkurti, pasi ka qëlluar, u largua me makinën e tij, mirëpo rrugës bëri aksident. Ai po ndiqej nga Artur Daja. Ky i fundit, pasi arriti makinën tip ‘Audi’, ekzekutoi me pistoletë menjëherë Ramadan Shkurtin dhe një person tjetër”, - dëshmoi Selmani. Sipas dëshmitarit, ky ishte dhe momenti i parë i përplasjes mes Artur Dajës dhe Aldo Bares, çka çoi në përçarjen e bandës. Ndërsa në lidhje me vrasjen e Artur Dajës, Selmani rrëfeu: “Pas vrasjes së Ramadan Shkurtit, i vëllai i tij, Alfred Shkurti, i njohur ndryshe me emrin Aldo Bare, e mësoi shumë shpejt emrin e ekzekutorit. Në shenjë hakmarrjeje Artur Dajës iu pre koka nga Aldo Bare. Sipas dëshmisë, Bare më pas jo vetëm që vrau, por edhe i preu kokën Dajës, duke e shëtitur në gjithë qytetin. Selmani theksoi se më pas pati atentate dhe kujtoi atentatin ku mbeti i vrarë Nimet Zineli dhe ku ai vetë shpëtoi për qime nga plumbat e bandës së Lushnjës. Ardhja e Selmanit në sallën e gjyqit rikthen edhe njëherë debate të forta nëse ky që cilësohet si një ndër dëshmitarët kyçë të krimeve të bandës së Lushnjës duhet të vihet në pranga ose jo.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›