E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet në Francë i kërkuari për vrasje

Autori i Lajmit: red.
Përfundon në pranga Bledar Çafi, i kapur në Lion të Francës pas një bashkëpunimi të Interpolit vendas dhe Interpol Tiranës. 30- vjeçari është dënuar me 15 vjet burg për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001 në qytetin e Shkodrës. I arrestuari dyshohet edhe për krime të tjera. Burime nga policia bënë të ditur se në Francë është arrestuar një ndër më të kërkuarit nga drejtësia shqiptare, Bledar Çafi. 30-vjeçari është kapur në Lion të Francës pas një bashkëpunimi të Interpolit vendas dhe Interpol Tiranës. Çafi akuzohet për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001 në qytetin e Shkodrës, vrasje për të cilën asokohe u dënua djali i viktimës, Fatos Mustafaj. Por pas arrestimit dhe dënimit të tij me 15 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës, më 9 korrik të vitit 2008, me zbulimin e fakteve të reja, Prokuroria do të kërkonte rihapje të hetimeve, të cilat do t i çonin tek shtetasit Gani Çafi, Asllan Çafi dhe Bledar Çafi. Në të tilla kushte, Prokuroria i kërkoi gjykatës pezullimin e vendimit për Fatos Mustafajn dhe shpalljen e tij të pafajshëm. Ministria e Brendshme deklaron ndërkaq se mbi të sapoarrestuarin Bledar Çafi rëndojnë akuza e vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe zotërim eksplozivi, ndërsa dyshohet edhe për krime të tjera.
Ky lajm është publikuar: 09/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›