Arrestohet në Stamboll Engjëll Zeqo, ishte në kërkim për vrasje
Tiranë – Një i shumëkërkuar prej gati shtatë vitesh nga Interpoli ka përfunduar në pranga. 43-vjeçari i quajtur Engjëll Zeqo është arrestuar pasi akuzohet për vrasje, madje për të gjykata ka dhënë dënimin me 15 vjet burg. Lajmi është bërë i ditur nga mediat turke. Në shkrimet e gazetave më të mëdha të Stambollit shkruhej se Zeqo qëndronte në Turqi që nga viti 2001 me identitet tjetër. Po sipas tyre, ka qenë një operacion blic i Policisë së Stambollit ai që solli edhe arrestimin e të shumëkërkuarit, i cili ka mohuar të ishte Engjëll Zeqo. 43-vjeçari akuzohet për vrasje me paramendim.
Vendimi
Gjykata shqiptare e ka dënuar atë në mungesë me 15 vjet burg. Pas informacioneve të mbledhura, Policia e Stambollit ka organizuar një operacion në lagjen “Gazi Osman Pasha” në periferi të metropolit turk. Të informuar më parë nga pala shqiptare, e cila kishte dërguar shenjat e gishtërinjve dhe fotografi të Zeqos, Policia turke ka arritur ta arrestojë atë. Fillimisht Zeqo ka kundërshtuar duke thënë se nuk ishte personi që ata kërkonin. Ai mbante një pasaportë me identitet të rremë. Pas identifikimit të fotografisë dhe shenjave të gishtërinjve, polica e ka shoqëruar atë për në Burgun e Metrisit në Stamboll. Policia ka bërë të ditur se pas verifikimeve, Engjell Zeqo ka hyrë për herë të parë në Stamboll në vitin 2001. Ndërkohë, pritet që pas plotësimit të dokumentacionit përkatës, Zeqo të ekstradohet nga Turqia për të vuajtur dënimin e dhënë në mungesë për të nga Drejtësia shqiptare.
Falsifikimi
43-vjeçari që ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana është vënë në pranga dy ditë më parë në kryeqytetin e Turqisë, Stamboll. Interpoli e kishte shpallur në kërkim prej 7 vitesh Engjell Zeqon, pasi akuzohet për vrasje dhe është dënuar me 15 vjet burg. Sipas Policisë turke, Zeqo jetonte në Turqi me emër të falsifikuar, të identifikuar si Durim Myrtaj. Pas përfundimit të procedurave Zeqo do t’u dorëzohet autoriteteve të Policisë shqiptare.
Gjykata jep “arrest shtëpie” për mjekun e dyshuar për korrupsion
TIRANË - Gjykata e Shkallës së Parë, me kërkesë të Prokurorisë, caktoi dje masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shefin e Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, Ardian Nelaj, i cili dyshohet për “korrupsion”. Gjatë ballafaqimit të parë me gjykatën, mjeku 38-vjeçar nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij nga prokuroria. Megjithatë, Gjykata vendosi masën e arrestit në shtëpi deri në përfundim të hetimeve. Ardian Nelaj, me profesion mjek kirurg, u arrestua para tri ditësh si i dyshuar për marrje parash nga pacientë në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale, të cilat i zhvillonte në sallën e Urgjencës së Spitalit Nr. 2 Tiranë. Gjatë arrestimit atij iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale shuma e parave prej 545 mijë lekësh, 760 euro, 100 dollarë. Kjo çështje po hetohet nga Njësia Task-Force, e ngritur pranë Prokurorisë së Tiranës për luftën kundër korrupsionit.
4 Nentor 2008