E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 8 muaj, bie norma e fitimit për bizneset dhe dështon përdorimi i kasave

Tatimet në 8 muaj mbledhin 4 miliardë lekë më pak. Tatim-fitimi bie me 5 për qind, ndërsa akcizat me probleme

Ervin Koçi

Bilanci 8-mujor i administratës tatimore për këtë vit ka dalë me mangësira të mëdha ku më të spikatura kanë qenë vjelja e detyrimeve tatimore te biznesi i vogël dhe zbatimi i disa projekteve që kanë dështuar paraprakisht. I tillë ka qenë edhe projekti për instalimin e kasave fiskale ose i arkave elektronike regjistruese, të cilat në asnjë moment nuk e kanë dhënë frytin e pritshëm. Gjithsej nga 1600 biznese private, që janë futur deri tani në skemën e arkave regjistruese elektronike, vetëm 10-13 për qind e tyre përdorin kasat regjistruese, - bënë të ditur burime nga DPT-ja. Po kështu, edhe projekti për deklarimet në mënyrë elektronike të taksës së TVSH-së nga subjektet dhe të taksave të tjera në administratën tatimore konsiderohet në nivele tepër të ulëta. Kjo gjë, sipas punonjësve të tatimeve, “ka të bëjë me mungesën e njohjes dhe përdorimit jo të mirë të internetit nga një pjese e bizneseve”. Deklarimi në mënyrë elektronike i taksës së TVSH-së për të gjitha subjektet private po zbatohet që prej më shumë se një viti, por niveli i subjekteve që i përgjigjen skemës është akoma i vogël. Aktualisht, deklarimi në mënyrë elektronike i taksës së TVSH-së zbatohet në 6 drejtori rajonale të tatimeve, por deri në fund të 2008-s ai do të shtrihet edhe në 5 qarqe të tjera.

Të ardhurat

Tatimet kanë mbledhur më pak të ardhura nga taksa e tatimit mbi fitimin, duke ndikuar në mosrealizimin e planit. Shifrat e publikuara nga Ministria e Financave për periudhën janar-shtator 2008 tregojnë se nga tatimi mbi fitimin si taksë nuk janë mbledhur rreth 1,7 miliardë në krahasim me 2007-n, ndërsa si plan niveli i tij rezulton mangët 295 milionë lekë. "Të ardhurat nga tatim-fitimi i ndërmarrjeve publike ka pësuar një rënie me 52 për qind nga 2007 në 2008-n", - deklaron Ministria e Financave, në një kohë që të ardhurat nga fitimi i kompanive private ka pësuar një ulje me 5 për qind. Ministrisë i duket i pashpjegueshëm kjo normë fitimi e ulët, në një kohë kur shkalla e detyrimit tatimor ndaj bizneseve është përgjysmuar.

Akcizat

Të ardhurat nga akciza rezultojnë me 1,5 miliardë lekë më pak se plani i qeverisë, ndërsa Ministria e Financave sqaron se "përgjegjësja" kryesore për mosrealizimin e tyre është administrata tatimore, e cila ka përmbushur planin e detyrës vetëm në masën 91 për qind. Në total janë mbledhur rreth 25 miliardë lekë, ku rreth 16 miliardë lekë janë mbledhur nga dogana dhe 9,5 miliardë nga tatimet. Megjithatë, në krahasim me vitin e kaluar, të ardhurat nga akciza kanë pësuar një rritje prej 4 miliardë lekësh ose rreth 20 për qind më shumë. Politika e qeverisë për nivelin e kësaj takse synon një reduktim të saj, me synim përafrimin me nivelet e Bashkimit Europian.

Totali

Të ardhurat tatimore në total për periudhën janar-shtator 2008 rezultuan në masën e rreth 193 miliardë lekëve, ose rreth 3,5 miliardë lekë më pak se plani. Nëse bëjmë një krahasim me vitin e kaluar, të ardhurat tatimore rezultojnë me një rritje prej 28 miliardë lekësh, ose 17 për qind. Mosrealizim të planit kanë hasur edhe tatimet e doganat në masën e 829 milionë lekëve.

Durrës, dogana arkëton në 10 muaj 84 milionë USD më shumë se në 2007-n

Dega doganore e Durrësit ka arkëtuar gjatë 10 muajve të parë të këtij viti afro 31.9 miliardë lekë nga zhdoganimi i mallrave të ndryshme, duke shënuar një rritje prej 14.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Drejtori i kësaj Dege, Arben Ibro, ka deklaruar për mediat se pavarësisht nga uljet në këmbimin e valutës së huaj dhe nga ulja me rreth 20 për qind e taksës doganore, gjatë vitit 2008 të ardhurat e degës së Doganës së Durrësit janë rritur me rreth 84 milionë USD në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Ai bëri të ditur se zhdoganimet në mallrat e akcizës e kanë rritur ndjeshëm vlerën e arkëtuar gjatë këtyre 10 muajve në degën doganore të Durrësit, e cila zhdoganon rreth 90 për qind të mallrave të import-eksportit me vendet e Bashkimit Europian. Në këtë periudhë janë përpunuar dhe zhdoganuar 198 710 mijë tonë karburante, 444 431 tonë çimento dhe 762 tonë kafe. Në të njëjtën periudhë, përmes procedurave të doganës janë eksportuar afro 831 mijë tonë mallra, ose 196.216 tonë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›