Presidenti Sejdiu takon Berishën, Topallin dhe përshëndet Kuvendin e Shqipërisë
Gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare në Shqipëri, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zhvilloi takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Ai u prit në një takim të veçantë nga kryeministri Berisha si dhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Presidenti Sejdiu gjithashtu iu drejtua me një fjalim përshëndetës dhe Kuvendit të Shqipërisë gjatë seancës së djeshme parlamentare. Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, presidenti Sejdiu shprehu konsideratën më të lartë për mbështetjen e fuqishme që qeveria shqiptare i kanë dhënë zhvillimeve në Kosovë, duke theksuar se Kosova do të jetë përjetësisht mirënjohëse për këtë mbështetje. Presidenti Sejdiu vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt integrimit euroatlantik, duke i cilësuar këto përparime si një përvojë e rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe si një model i rëndësishëm për t’u ndjekur. Kryeministri Berisha nga ana e tij e siguroi Presidentin Sejdiu se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Kryeministri shpreh bindjen se ky bashkëpunim do të ketë një perspektivë shumë të mirë në interes jo vetëm të të dyja vendeve, por për të gjithë rajonin. “Unë e sigurova presidentin se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks të veçantë në fushën ekonomike. Shqipëria po punon në projektet infrastrukturore të lidhjeve, të rrugës “Morinë-Durrës, po përfundon projekti i shpejtë i rrugës Fierzë-Koman, rruga e Arbrit dhe do të shqyrtohen të gjitha lidhjet e mundshme përfshi hekurudhën dhe lidhje të tjera, të cilat do të jenë të përshtatshme për të dy vendet”, është shprehur kryeministri Berisha. “Njohja që i është bërë Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi është po kështu një sinjal i rëndësishëm i partneritetit aktiv në bashkëpunimin mes vendeve tona dhe i rolit që kemi marrë bashkë me këto vende, për të qenë partnerë të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe një model i jashtëzakonshëm i lëvizjes së përbashkët në proceset e integrimeve”, - ka theksuar Sejdiu gjatë fjalës së tij.
4 Nentor 2008