E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritëhijet e ligjit që i hapi rrugë shitjes së pakontrolluar të armëve

Futja e firmave private në lojë dhe krijimi i komisionit të vlerësimit. Si u kategorizuan armët e FA-së që kishin dalë jashtë përdorimit

Habjon Hasani
Është një vendim i firmosur më datën 14 mars 2007 nga kryeministri Berisha që i hapi të gjitha rrugët kompanisë së Mihal Delijorgjit të bëhej “perandor” i municioneve luftarake të mbledhura dhe të blera për 45 vite me radhë. Më konkretisht është Vendimi Nr. 138 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, i cili solli dy risi në përmbajtje, rezultati i të cilave kulmoi me shpërthimin e fabrikës së Gërdecit. Pikësëpari, ky vendim ligjëroi futjen në lojë të operatorëve privatë për blerjen dhe eksportimin e municioneve luftarake shqiptare. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë, ndërsa mënyra se si ky ligj kategorizonte armatimet që kishin dalë jashtë përdorimit ka lënë hapësira të mëdha për kamuflim dhe abuzim. Por le të qëndrojmë te pika e parë, futja në lojë e operatorëve privatë. Vendimi përcaktonte se, “Lejet për eksportin e armëve, të teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve plasëse lëshohen nga Ministria e Mbrojtjes”. Pra është e qartë se licencat për firmat që do të eksportonin armë do të jepeshin nga një nomenklaturë që kishte në krye të saj ministrin e Mbrojtjes. Më tej, ky vendim përcakton se, “Në Ministrinë e Mbrojtjes, me urdhër të ministrit krijohet komisioni i miratimit të çmimeve, me ekspertë të fushave përkatëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ekspertë të financës, juristë, ekonomistë e të tjerë. Pra, edhe komisioni që do të bënte bilancin financiar dhe analizën ekonomike të vlerës së këtyre municioneve do të ishte një nomenklaturë direkte e ministrit. Kësisoj, ky ligj i jepte të drejtën ministrit të përzgjidhte firmën dhe të vendoste për “pazarin” e municioneve që do t’i jepeshin firmës.
Kategorizimi
Ligji në fjalë solli një precedent tjetër, i cili lidhet me kategorizimin e municioneve. Sërish në krye të këtij procesi ishte ministri i Mbrojtjes ndërsa në vendim shkruhet: “Ministri i Mbrojtjes, nëpërmjet një komisioni të posaçëm, përcakton kategorizimin e kontigjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive, të hequra nga armatimi e përdorimi, sipas qëllimit të trajtimit, të përcaktuara në krerët I, II, III, IV, V, duke pasur parasysh kohën e prodhimit, gjendjen faktike të tyre, kërkesat e tregut dhe leverdinë ekonomike. Mënyra e funksionimit të komisionit përcaktohet me rregullore, të miratuar nga ministri i Mbrojtjes”. Kësisoj është e qartë se ky ligj i dha ministrit terren të përzgjidhte firmën, të kategorizonte municionin dhe të vendoste çmimin e tyre. Çdo gjë kontrollohet në mënyrë vertikale nga ministri. Por ky ligj nuk përcaktonte asnjë kusht apo kriter që garantonte se municione të destinuara për demontim të mos tregtoheshin si municion i vlefshëm luftarak nga operatorët privatë të kontraktuar nga ministria. Kësisoj, ky ligj linte hapësira për fitime miliardere që mund të vinin si pasojë e mbulimit të municioneve të destinuara për shitje duke i deklaruar ato si të demontuara dhe të shkatërruara!
Hartuesit
Diferenca mes ligjit paraardhës dhe këtij ligji, që i hapi rrugë abuzimit me municionet luftarake, është aq e madhe saqë do të ishte e vështirë për cilindo jurist të mbyllte sytë. Ky ligj e ktheu nga një monopol shtetëror tregtinë e armëve në një monopol të ministrit të Mbrojtjes dhe firmave private që ai vetë kishte të drejtë t’i përzgjidhte. Megjithatë, praktika e ndjekur gjatë hartimit të tij tregoi se asnjë institucion qeveritar, as dhe një institucion i vetëm, nuk bëri kurrë asnjë relacion që të vinte në dukje këto diferenca që ishin të qarta dhe që destinonin mijëra tonelata municion në duar dhe procedura të pasigurta. Por sikurse treguan dhe email-et e fundit të botuara në media të ministrit Alibeaj (kur ishte drejtor i njësisë qeveritare antikorrupsion) rezulton se njerëzit që kishin detyrë të formatonin hapësirat e dyshimta që ofronte ligji bënë pikërisht të kundërtën. U kujdesën që procesi të ishte sa më pak i kontrolluar.

Ministri vendos për gjithçka

Çmimi
Pas heqjes nga armatimi e përdorimi, armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive të Forcave të Armatosura u nënshtrohen vlerësimit dhe përcaktimit të çmimit të tyre për shitje. Në Ministrinë e Mbrojtjes, me urdhër të ministrit, krijohet komisioni i miratimit të çmimeve, me ekspertë të fushave përkatëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ekspertë të financës, juristë, ekonomistë e të tjerë.

Firmat
Lejet për eksportin e armëve, të teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve plasëse lëshohen nga Ministria e Mbrojtjes. Për lëshimin e tyre respektohen parimet e kodit të sjelljes të Bashkimit Europian për eksportin e armëve, miratuar me Vendimin Nr.604, datë 28.3.2003 të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin, në parim, të kodit të sjelljes së Bashkimit Europian për eksportin e armëve".

Demontimi
Komisioni i miratimit të çmimeve, në Ministrinë e Mbrojtjes, përcakton çmimin për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Në përcaktimin e çmimit për këtë kategori municionesh komisioni mban parasysh edhe koston për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve për elemente të tilla, si investimi, kosto faktike e punës së bërë, metoda e përdorur, ndikimi në mjedis etj, si dhe vlerën e nënprodukteve të përfituara nga çmontimi e çmilitarizimi i municionit.

Masa e përfitimit të ndërmarrjes MEICO, për kryerjen e procedurave të shitjes, në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Financave.

BOX
Privatët licencohen nga ministri dhe tenderohen nga ministri

5. Blerësi duhet të plotësojë këto kushte:

a) Të jetë i regjistruar pranë autoritetit shtetëror të kontrollit të import-eksportit të mallrave ushtarake e atyre me përdorim të dyfishtë në vendin e origjinës si importues, eksportues apo ndërmjetësues, duke paraqitur dokumentin përkatës zyrtar.

b) Të paraqesë deklarimin e përdoruesit të fundit ose një dokument tjetër lejues për import nga autoriteti shtetëror i kontrollit të import-eksportit të mallrave ushtarake e atyre me përdorim të dyfishtë të vendit të importuesit.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›