E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykim i shkurtuar për të pandehurit e operacionit “Furtuna”



TIRANË - Të pandehurit e operacionit “Furtuna”, mes të cilëve edhe tre ish-punonjës të Hipotekës, të cilët akuzohen për abuzime me regjistrimin e trojeve bujqësore apo pronave, do të procedohen me gjykim të shkurtuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë. Vendimi u mor dje nga togat e zeza, pas kërkesës së bërë nga të pandehurit e këtij procesi për t'u proceduar në gjendjen në të cilën ndodhen aktet procedurale të mbledhura nga prokuroria. Të pandehur në proces janë 7 persona, tre prej të cilëve ish-punonjës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë. Këta persona u arrestuan disa muaj më parë gjatë operacionit të koduar “Furtuna”, organizuar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me Njësinë Task Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, si të dyshuar për afera korruptive me tokat.

Shkon për gjykim dosja ndaj 35-vjeçarit që goditi me thikë mjekun Refatllari

TIRANË - Në Gjykatën e Shkallës së Parë do të nisë procesi në ngarkim të një 35-vjeçari nga Tirana, i cili akuzohet për plagosjen e mjeku A. Refatllari më 10 prill të këtij viti në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Burime nga Prokuroria e Tiranës pohuan dje se organi i akuzës përfundoi hetimet ndaj 35-vjeçarit A. Strazimiri dhe se çështja penale është dërguar për shqyrtim gjyqësor me akuzën e “tentativës së vrasjes”. Sipas këtyre burimeve, hetuesit kanë siguruar shumë materiale hetimore mes të cilave edhe mjaft dëshmi për dokumentimin ligjor të ngjarjes në fjalë. Strazimiri u arrestua nga forcat e Policisë së Tiranës më 10 prill të 2008-s, pak çaste pasi kishte goditur me sende të forta një mjek në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, i cili kishte realizuar ndërhyrjen kirurgjikale ndaj një të afërmi të tij.

Atentat një të riu shqiptar, emigrant në Athinë

Athinë – Tre persona i zunë pritë një të riu në kryeqytetin grek Athinë, duke e plagosur rëndë me armë zjarri, ndoshta në përpjekje për t’i marrë jetën pas një sherri banal. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së dielës në Athinë. I plagosuri është një 27-vjeçar emigrant shqiptar me dokumente të rregullta qëndrimi në Greqi. Emri i shqiptarit nuk u bë i ditur nga policia, por u tha se ai u gjet i plagosur në kryqëzimin e rrugëve “Karaoli” dhe “Dhimitriu” në lagjen “Neo Faliro”. Sipas policisë, i riu sapo kishte dalë nga një bar kur tre persona, gjithashtu në moshë të re, me një makinë, iu afruan dhe njëri prej tyre nxori një pistoletë me të cilën e qëlloi dy herë, duke i shkaktuar plagë në dorën e majtë dhe në këmbën e djathtë. Më pas autori dhe dy bashkëpunëtorët e tij u larguan me shpejtësi në drejtim të panjohur. Kalimtarë të rastësishëm njoftuan policinë dhe kjo e fundit, pa vonesë, transportoi të plagosurin në spitalin e përgjithshëm shtetëror të Nikeas, ku gjendet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se dyshimet e para mbi ngjarjen shkojnë në konflikt për shkak të një femre, por nuk dha detaje të tjera.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›