Grabitjet në Tiranë, policia shoqëron 25 adoleshentë
Tiranë - Shërbime të shumta të Policisë së Tiranës si dhe oficerë të seksioneve të krimeve kundër jetës dhe grabitjeve me dhunë e armë, ngritën një grup të gjerë hetimi për identifikimin e autorëve të grabitjeve, që ndodhën dy ditë më parë në Tiranë, dhe kapjen e tyre. Policia shoqëroi disa adoleshentë, kryesisht përdorues drogash dhe kontingjente për kryerjen e ngjarjeve të tilla si të dyshuar, ndërsa nuk konfirmohej të kishte të ndaluar ndonjë prej tyre. Ngjarjet lidhen me grabitjen e pikës së këmbimit valutor dhe një hotelieri. Rreth orës 13:10, një person i moshës rreth 17 vjeç, i armatosur me pistoletë ka hyrë në momentin që këmbehej valutë në një dyqan që shërbente edhe si agjenci udhëtimi. Nën kërcënimin e armës ai ka marrë 100 mijë lekë që i ka gjetur për kollaj në sportel dhe është larguar në brendësi të rrugicave, që në vijë të drejtë ndodhen vetëm 200 metra larg Komisariatit numër 3 të Policisë së Tiranës dhe ish-komisariatit të Objekteve, i cili është përshtatur për seksionin e grabitjeve dhe të tjera shërbime të policisë kriminale. Policia dyshon se autori është përdorues drogash, ndërkohë që ka ndërtuar identikitin e tij. Në një tjetër ngjarje Genci Domi, kamerier në lokalin e një moteli pranë Doganës së Tiranës, ka pretenduar se e kanë vjedhur disa djem të rinj. I ka ndjekur nga pas deri te makina për t'u kërkuar paratë që i kishin marrë, mirëpo nuk e kishte menduar siç duket se hajdutët mund të ishin dhe të dhunshëm. I janë sulur Gencit që "guxoi" t'u kërkonte paratë që i kishin marrë dhe veç goditjeve me grushte i kanë futur edhe një thikë. Fatmirësisht, goditja me thikë ka rezultuar sipërfaqësore dhe nuk i ka dëmtuar ndonjë organ jetësor Domit.
26 Gusht 2009