Ina Rama: Mos u ndikoni nga deklaratat e politikës
Besnik Cani dhe Shkëlqim Hajdari janë zgjedhur dje me shumicë votash nga votimi i 300 prokurorëve shqiptarë
TIRANË- Në kohën kur po debatohet për “largimin” e prokurorëve që para viti 1990 kanë marr pjesë direkt apo indirekt në proceset politike të asaj kohe, mbi 300 përfaqësues të ligjit paraditen e djeshme kanë votuar në një proces të fshehtë për dy anëtarët më të rinj të Këshillit të Prokurorisë. Në procesin e djeshëm zgjedhor, për dy vendet vakante të lënë bosh pas mbarimit të mandateve trevjeçare të prokurorit Adriatik Llalla, i cili tashmë mban detyrën e drejtuesit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive si dhe prokurorit Shpëtim Kurti, i cili rikandidoi gjatë votimeve të djeshme, u zgjodhën me shumicë votash prokurorët Besnik Cani dhe Shkëlqim Hajdari.
Sipas anëtarëve të komisionit të këtij procesi zgjedhor, prokurori i task-forcës Besnik Cani fitoi shumicën e votave duke u shpall fitues i pari me 142 vota dhe i ndjekur më pas me 138 vota nga ish-sekretari i parë i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve me detyrë drejtues i Prokurorisë së Apelit në Tiranë, prokuror Shkëlqim Hajdari. Gjatë fjalës së tyre para kolegëve dy fituesit e vendeve vakante pranë këshillit shprehën falënderime për mbështetjen e dhënë nga kolegët, duke besuar se ata zgjodhën integritetin moral dhe profesional të kandidatëve. Ish- sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari gjatë fjalës së tij pesëminutëshe, shprehu vazhdimin e “luftës” së tij në të mirë të prokurorëve dhe mbrojtjen e interesave të tyre, që sipas tij “do të vazhdojë t’i mbrojë ato edhe pranë këshillit të Prokurorisë”. Ndërkaq, prokurori i task-forcës së Tiranës Besnik Cani gjatë fjalës së tij, përveç mbështetjes që do të japë për kolegët e tij në këshill, propozoi që mbledhjet e prokurorëve për votimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Prokurorisë të pagëzohen me emrin Konventa e Prokurorëve Shqiptare dhe jo siç citohet tashmë mbledhja e prokurorëve. Propozim i cili gjet mbështetjen e kolegëve, të cilët në mbledhjen e radhës së anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Prokurorisë të propozojnë disa ndryshime për mënyrën e mbledhjes së prokurorëve. Gjithashtu, prokurori Hajdari i pyetur pas shpalljes së fituesve, se “pranë anëtarëve të këshillit të prokurorisë do të propozojë që mbledhjet e saj të jenë transparente dhe të hapura për publikun”.
Ndërkohë, vetë kryeprokurorja Ina Rama, gjatë fjalës së saj përshëndetëse, përveç vënies në dukje të arritjeve të institucionit që ajo drejton dhe dhënies së disa këshilla teknike për hetimet, i bëri thirrje prokurorëve të mos ndihen të pasigurt në punën që bëjnë dhe të janë të vendosur në hetimin e dosjeve. “Të jeni të vendosur gjatë punës hetimore dhe mos të ndikoheni nga deklaratat e ndryshme. Puna juaj konsiston në ndershmëri dhe respektim të ligjit”,-apeloi ndër të tjera kryeprokurorja Rama. Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme përbëhet nga 7 anëtarë, 5 prokurorë dhe dy përfaqësues, njëri nga Presidenca dhe tjetri nga Ministria e Drejtësisë. Tashmë dy prokurorët Cani e Hajdari do t’i bashkohen anëtarëve të tjerë të këtij këshilli, të cilët kanë për detyrë të organizojë konkursin për kandidatët për prokurorë dhe të atyre që do të ngrihen në detyrë, shqyrton vlerësimin e punës, si dhe jep mendim për shkelje disiplinore të kryera nga prokurorët, për të cilat Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra. Këshilli i Prokurorisë ka funksion këshillimor dhe ia paraqet në çdo rast mendimin e vet Prokurorit të Përgjithshëm.