Arrestohet një trafikant klandestinësh
SARANDË- Dyshohej për veprën penale të "dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt shumave të paligjshme", siç parashikohet në nenin 298 pika 2, për këtë arsye Rexhep Zani 41 vjeç është arrestuar sot nga rajoni i Policisë së Sarandës. Po sipas burimeve policore Zani është me qëndrim të përkohshëm në Sarandë dhe pas arrestimit është përcjellë në dhomat e paraburgimit, në drejtorinë e burgjeve të këtij qyteti.
Burime nga policia bëjnë të ditur se kohët e fundit në qytetin e Sarandës ka pasur disa raste rresht të arrestimeve nën këtë akuzë. Pasi sipas uniformave blu 'përcjellja' e klandestinëve në shtetet fqinj, duke kapërcyer kufirin në mënyrë të paligjshme, është kthyer në një biznes fitimprurës. Shumat e paguara për këtë lloj 'shërbimi' nga 'udhërrëfyesit vendas' i kalojnë 1000 euro për person.