Mjekët, kërkesa Ministrisë: Nuk kemi specialistë në spitale
Profesorët e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza", kanë paraqitur një sërë kërkesash para ministrit të Shëndetësisë Nard Ndoka për gjendjen sipas tyre skandaloze të mjekësisë shqiptare.
Ata kërkojnë reformim të sistemit shëndetësor, ku emërimet dhe shkarkimet e mjekëve të mos bëhen në mënyrë arbitrare nga drejtuesit që nuk kanë lidhje me Shëndetësinë, por nga vetë profesorët. Dekani i fakultetit të Mjeksësisë Alfred Priftanji ka deklaruar se mungojnë mjekët profesionistë në spital, duke përmendur edhe operimin e kardiokirurgut Ali Refatllari, i cili është operuar në mënyrë të gabuar nga një koleg i tij. Refatllari ka qenë viktimë e plagosjes më thikë, nga një i afërmi i një pacienti.
"Kemi vetëm 40 specialistë të mirëfilltë në rang republike"-deklaroi Priftanji. Gjithashtu mjekët kanë kërkuar rishikim të pagës dhe më shumë siguri në punë. Profesorët kanë shprehur shqetësim për mungesën e aparaturave, e cila bën që të mos ketë një shërbim më të specializuar për pacientët.
Ndërsa ministri Ndoka i është përgjigjur kërkesave duke thënë se për të pasur një sistem shëndetësor të mirë duhet të kemi strategji dhe financime.
Eglantina Bardhi