A mund të dallohet mishi që vjen nga kafshë të klonuara?
Që me krijimin e deles Dolly ne e dimë se kafshët mund të krijohen nëpërmjet klonimit. Shumë konsumatorë nuk ndihen mirë kur hanë mish dhe nuk e dinë prej nga ka ardhur ajo çka kanë përpara në pjatë.
Kur ngordhi Zita, Greg Wiles u mërzit shumë. Zita ishte lopa më e mirë e bujkut nga Marylandi. Zita jepte më shumë qumësht se të gjitha kafshët e tjera. Për fat të mirë Greg kishte menduar që më parë për sigurimin e kopjes së Zitës, një qelizë me të njëjtat të dhëna gjenetike. Zita dhe Zita e dytë, ishin si dy binjakë të lindura në ditë të ndryshme.
Klonimi i kafshëve për prodhimin e mishit dhe qumështit është teknikisht i mundshëm. Por a janë të sigurta produktet ushqimore që vijnë prej tyre? Si mund të ruhen konsumatorët në të ardhmen nëse nuk duan të kenë në frigorifer prodhime të klonuara?
1000 faqe përmban raporti që zyra amerikane për ushqimin, FDA prezantoi në fillim të vitit. Shkencëtarët e saj punuan gjashtë vjet për të gjetur nëse mishi dhe qumështi i prodhuar nga kafshët e klonuara shtëpiake kishte ndryshime nga kafshët e tjera të prodhuara në mënyrën origjinale. Rezultati është shumë i qartë, FDA paralajmëron njerëzit. Edhe zyra evropiane për sigurimin e ushqimeve, EFSA, i bashkohet vendimit të FDA-së. Eksperti i klonimeve Heiner Niemann, nga Instituti federal për bujqësinë në Neustadt thotë: "Ajo që ne aktualisht dimë, ose që na tregojnë të dhënat tona është se si klonet vetë ashtu edhe kafshët që janë prodhuar në një proces klonimi, apo pasardhësit e tyre nuk mund të dallohen nga kafshët e prodhuara në mënyrë konvencionale në asnjë nga karakteristikat që kemi studiuar, të cilat nuk janë të pakta."
Sipas vlerësimeve të ministrisë amerikane të bujqësisë, në SHBA ka rreth 600 kafshë shtëpiake të klonuara. Shumica e tyre janë bagëti e trashë. Nëse një bujk vendos të klonojë kafshët e veta, atëherë ai kërkon që të ruajë ose shumëfishojë genet e gjedhëve më të mirë që ka. Për këtë për shembull merren nga një ka riprodhues disa qeliza të trupit. Ekspertët i transformojnë ato në një qelizë vezë, prej nga kanë larguar fillimisht bërthamën. E mbjellë në trupin e një kafshë mëmë, rritet edhe qeliza vezë prej së cilës prodhohet një me një kopja e një kau riprodhues. Ky proces është shumë i shtrenjë nëse kafshët përdoren vetëm për mish, thotë Mark Walton nga firma amerikane ViaGen. “Një ka i klonuar kushton 13.500 dollarë. Kemi të bëjmë me një instrument riprodhimi, i cili është aktualisht më i avancuari. Fillimisht mund të studiohet kafsha dhe aftësia e saj, pastaj këto aftësi mund të kopjohen nëpërmjet kloneve, nëpërmjet kopjeve gjenetike”.
Pra klonet vetë nuk mund të përfundojnë aktualisht në frigoriferë për shkak të çmimit. Por kjo mund të ndodhë me pasardhësit që prodhohen prej tyre në mënyrë natyrale. Edhe tek to, FDA nuk mundi të gjente dallime të dukshme. Kjo nuk do të thotë se konsumatorët do të blenin prodhime të klonuara. Shoqata amerikane “International Food Information Council”, e cila përkrahet nga industria ushqimore ka bërë një sondazh në vitin 2007. Sipas saj dhjetë përqind e klientëve do të donin “me siguri të lartë” të blenin prodhime të kafshëve të klonuara. Megjithatë në USA kihet parasysh që mishi i klonuar duhet të ketë shenjat që e tregojnë këtë, sepse ai nuk mund të dallohet nga mishi i prodhuar në mënyrë origjinale. Një bankë të dhënash mund të ndihmonte për t’i treguar konsumatorëve se prej nga vjen mishi. Një sistem të tillë e ka zhvilluar shkencëtari irlandez, Patrick Cunningham në Universitetin e Dublinit. “Ne e zhvilluam këtë metodë kur patëm krizën e BSE-së, të kafshëve të çmendura për të qenë në gjendje të gjenim origjinën e mishit. Ne e publikuam atë dhe e nxorrëm në treg, dhe sot metoda përdoret shumë për të siguruar konsumatorët për origjinën e mishit.”
Çdo kafshe të klonuar i merret gjatë kohës që jeton një provë qelizash. Si shenjë dalluese shkencëtarët përdorin një profil trashëgimie. Nëse kodi gjenetik i një qënieje të gjallë mund të lexohet si tekst, atëherë ekzistojnë pika të ndryshme në të cilat gërmat e veçanta mund të këmbehen me njëra tjetrën, sipas individit. Në një kafshë në një pikë ndodhet një A, në një tjetër në të njëjtën pikë ndodhet një T, tek një e tretë një C. Studiuesit irlandezë janë në gjendje të lexojnë 30 pika të tilla, për të gjetur kombinimin që është karakteristik për një kafshë të veçantë.
"Të dhënat mblidhen në kompjuter dhe që nga ky moment është i mundur që nga një copë mishi apo hamburgeri të nxjerrësh profilin e ADN-së, dhe prej saj të përcaktosh edhe origjinën e mishit. Sot, këtë sistem e përdorin tre ndërmarrje të mëdha, që do të thotë se 75 përqind e mishit të gjedhit sot kontrollohet”.
Por sigurisht që ky është problemi. Nëse të gjithë bashkëpunojnë atëherë mund të ketë siguri 100 përqind.