E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet një udhëheqës i lartë i ETA-s

Udhëheqësi i grupit të armatosur bask, ETA, është arrestuar sot në veri të Francës, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Spanjës, e që ishte goditja më e re kundër këtij grupi separatist, të dobësuar pas arrestimit të qindra pjesëtarëve të vet.

Ibon Gogeascoechea, i cili ka qenë në arrati që nga viti 1997, është kapur së bashku me dy zyrtarë tjerë të lartë të ETA-s, gjatë aksionit të përbashkët të autoriteteve spanjolle dhe franceze në qytetin e vogël Cahan, në Normandi, kanë njoftuar autoritetet spanjolle.

Ai kërkohej për shkak të komplotit për të sulmuar muzeun Guggenheim në Bilbao, gjatë vizitës së mbretit të Spanjës, Juan Carlosit.

Forcat e sigurisë besojnë se ETA, e cila angazhohet për krijimin e shtetit të pavarur bask, është dobësuar dukshëm, pas arrestimit të qindra pjesëtarëve të kësaj organizate gjatë viteve të kaluara.

Arrestimet janë bërë falë koordinimit më të mirë mes autoriteteve në Spanjë dhe Francë.

Një udhëheqës i krahut politik të ETA-s, partisë Batasuna, i bëri javën e kaluar thirrje ETA-s që të vazhdojë betejën e saj me mjete paqësore.

Megjithatë, Batasuna ka humbur ndikimin e vet mbi kryengritësit e armatosur, që nga shembja e negociatave paqësore me qeverinë spanjolle.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›