E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev nesër fillon vizitën në Francë

Negociatat për blerjen e një anije luftarake franceze, lidhjet energjetike dhe për Iranin do të jenë prioritete të agjendës së vizitës treditore në Francë të presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev, vizitë kjo e cila fillon nesër, ka deklaruar një zyrtar në Kremlin.

Medvedev në pallatin Elysee do të pritet nga presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, i cili po angazhohet fuqishëm për sanksione të reja kundër Iranit, për shkak të programit bërthamor të Teheranit, hap ky të cilin Moska deri me tani ka ngurruar që ta përkrahë.

Sarkozy ka synuar të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën dhe Washingtonin, duke e ruajtur njëkohësisht ndikimin e fuqishëm të vendit të tij në BE.

Dy presidentet do të bisedojnë edhe për interesimin e Moskës për të blerë një anije luftarake nga Franca-tregti kjo e cila ka alarmuar Washingtonin dhe shtetet anëtare të NATO-s nga Europa Lindore.

Megjithatë, zyrtari nga Kremlini theksoi se nuk mund të pritet arritja e një marrëveshje përfundimtare për këtë çështje, gjatë vizitës së Medvedevit në Francë.

“Do të diskutohet për bashkëpunim ushtarak dhe teknik, përfshirë këtu edhe blerjen e mundshme të anijes Misstral. Por nuk do të nënshkruhet ndonjë dokument”, tha ky zyrtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›