Arrestohet njëri nga grabitësit e emigrantëve, në kërkim një tjetër
GJIROKASTER – Shkatërrohet një grup grabitësish, ku për disa kohë, viktimë e tyre ishin emigrantët që lëviznin nga Shqipëria drejt Greqisë dhe anasjelltas. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje, rreth orës 04.00, forcat e policisë bënë arrestimi në flagrancë të shtetasit Alban Meçe, lindur dhe banues në fshat Memaliaj të rrethit të Tepelenës”. Sipas tyre, prangosja e 23-vjeçarit u bë për arsye se në bashkëpunim me shtetasin Arseni Hasani, 27 vjeç, lindur dhe banues në të njëjtin fshat, në data dhe kohë të ndryshme, në të njëjtin vend, kanë dalë me maska dhe me armë në vijën e gjelbër të kufirit me Greqinë mbi fshatin Dritë të rrethit Gjirokastër ku kanë kryer disa vjedhje. Vetëm gjatë tre ditëve të fundit kanë kryer katër grabitje me maska në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas denoncimeve të mbërritura në stacionin policor të Kakavijës nga qytetarët e dëmtuar, nisën kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për realizimin e këtij operacioni është kërkuar ndihma e Policisë Kufitare të Janinës. Zëdhënësi i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bën të ditur se “rreth orës 23.00, të ditës së hënë, në vijën e gjelbër, në tokën shqiptare, u bë e mundur kapja e shtetasit Alban Meçe, njëri prej autorëve, të këtyre grabitjeve. Në momentin e ndalimit, Meçes iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë prej 300 eurosh, 2 varëse floriri, ndërsa në vendin ku kishin bërë vjedhjet, u gjetën 2 çanta të cilat u përkisnin 2 autorëve, ku brenda tyre u gjetën dhe u sekuestruan 5 aparate celularësh". Të gjitha sendet e sekuestruara u përkisnin të dëmtuarve. Kjo u vërtetua nga paraqitja për njohje që ju bë këtyre sendeve nga ana personave që i kishin pasur. Ndërkohë që policia e qarkut jugor, në bashkëpunim me homologët e Janinës kanë nisur kërkimet për kapjen e autorit tjetër, i cili dyshohet të ketë hyrë në territorin grek i armatosur me një armë zjarri tip pistoletë. Arsen Hasani është i dënuar nga Gjykata e rrethit të Gjirokastrës më 17 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes me armë”, dhe është shpallur në kërkim që prej qershorit të vitit 2006. Tashmë shtetasi Alban Meçe akuzohet për veprën penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim” dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nga organi i prokurorisë.
Pranga të dënuarit për trafik fëmijësh
ELBASAN - Policia ka arrestuar një 39-vjeçar, të dënuar për veprën penale të trafikimit të fëmijëve. Sipas burimeve të policisë mësohet se Alfier Caka, me banim në lagjen “28 nëntori” pasi me vendim të Gjykatës së rrethit Gjyqësor të Beratit, ai ishte dënuar me 15 vjet burg për veprën penale të trafikimit të fëmijëve. “39-vjeçari ka trafikuar për qëllime përfitimi të mitur në shtetet fqinjë dhe është denoncuar nga familjarët dhe të afërmit e tyre”- thanë burimet e policisë. Masa e dënimit është dhënë në vitin 2004 në qytetin e Beratit ku ai kishte mundur të mashtronte disa persona në gjendje të varfër. Për këtë vepër penale ka qenë i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit, një vit më pas, ndërkohë që gjatë këtyre viteve ai ka qenë në Itali.
Të plagosurit e Lapardhasë, trajtim në Itali
Gjendja shëndetësore e dy prej tre personave të plagosur gjatë shpërthimit të një autoboti me gaz në Lapardha të Beratit është shumë e rëndë. Ata prej dy ditësh po mbahen për trajtim mjekësor në repartin e djegieve pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Bluzat e bardha shprehen se më rëndë është gjendja shëndetësore e Beqar Canit, 40 vjeç dhe Dashamir Haga, 52 vjeç, shoferi i autobotit ku shpërthyen flakët. Ata thonë se po përgatisin të gjithë dokumentacionin e mundshëm në mënyrë që të plagosurit të mund të transportohen drejt spitaleve të Italisë për një mjekim më të specializuar. Beqar dhe Suzana Cani, 35 vjeçe dhe Dashamir Haga u aksidentuan dy ditë më parë pas shpërthimit të një autoboti në fshatin Lapardha të Beratit. Nga shpërthimi i autobotit mbeti e vdekur një vajza e çiftit Cana, Ardenisa 9 vjeçe. Sipas grupit hetimor tragjedia në familjen Cani ndodhi nga pakujdesia gjatë furnizimit me gaz.
1 Tetor 2008