E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset me thikë neurologu, në klinikën e tij



VLORË - Një mjek neurolog nga Vlora ka përfunduar në gjendje kritike për jetën në spitalin rajonal, pasi u godit me thikë pasditen e djeshme nga persona ende të paidentifikuar. Burime zyrtare nga policia e Vlorës bënë të ditur për gazetën se "mjeku neurolog Kosta Koçi u plagos rreth orës 17:20 të ditës së sotme, në afërsi të godinës së poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku ai kishte klinikën e tij private". Nga të njëjtat burime mësohet se mjeku Koçi kishte dalë në pension, por pavarësisht kësaj ushtronte aktivitetin në klinikën e tij private. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje, por mësohet se një grup hetimor po punon për zbardhjen e motiveve të këtij rasti. Ky agresion shënon një tjetër precedent të plagosjes dhe dhunës mbi mjekët ndërsa opinioni publik tronditet periodikisht nga ky fenomen. E njëjta gjë ndodhi në mes të Tiranës pak kohë më parë me mjekun e njohur Ali Refatllari, 47 vjeç, me detyrë shefi i Kardiologjisë pranë spitalit “Nënë Tereza”, Tiranë, njëherazi zv. dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Fatmirësisht Refatllari ka shpëtuar paq pas goditjeve të njëpasnjëshme me thikë nga i afërmi i një ish-pacienti të tij, që fatkeqësisht ka ndërruar jetë gjatë një operacioni në zemër. Në fakt, ka qenë ndërhyrja e një të afërmi të një pacienti të shtruar në këtë spital që ndodhej rastësisht ato momente në vendngjarje, i cili është paraqitur si punonjës i policisë, duke shmangur më të rëndën.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›