Statistika policore, shqiptarët “spiunojnë” dy herë më shumë
Tiranë - Në vitin 2008, është dyfishuar numri i qytetarëve në kryeqytet që informojnë policinë për problemet e tyre. Shefi i Seksionit të sallës së Drejtimit dhe Koordinimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, Komisar Bilbil Dervishi, u shpreh dje se besimi i publikut ndaj policisë ka ardhur në rritje si rezultat i profesionalizmit të shfaqur në zgjidhjen e problemeve, si dhe përfshirjen e komunitetit në veprimtarinë e policisë. “Komandimi i të gjitha njoftimeve, të ardhura nga publiku, pa varësisht shtrirjes territoriale, sipas komisariateve, bëhet në një sallë e vetme, që është salla operative. Ka një rritje të telefonatave nga ana e publikut, nga 500 telefonata në muaj vitin e kaluar, në 950 telefonata afërsisht këtë vit”, - është shprehur Dervishi. Sipas tij për të identifikuar personin thirrës salla operative është e pajisur me aparate telefonike me anë të cilit mund të identifikohet numri i personit thirrës, me të cilët shpesh herë është komunikuar edhe për ngjarje të rënda kriminale". Dervishi gjithashtu veçoi vlerësimin maksimal nga ana e kësaj zyre për telefonatat për ushtrimin e dhunës ndaj grave, duke ju gjendur pranë atyre dhe duke rakorduar me sektorin përkatës, atë të policisë kriminale. Duke folur për rritjen e besueshmërisë nga ana e publikut, Dervishi veçoi edhe telefonatat e publikut për zjarret e konstatuara, të cilat përbëjnë 10-12% të telefonatave, edhe pse ekziston një numër telefoni nga ana e Drejtorisë së zjarrfikëseve në shërbim të publikut.
1 Tetor 2008