E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërshërët e Ligjit” mbërrijnë në gjykatë



TIRANË - Prokuroria e Tiranës ka dërguar ditët e fundit për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë dosjen penale në ngarkim të pesë personave, dy prej tyre ish- punonjës të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilët akuzohen për afera korruptive në dhënien e lejeve për drejtim të mjeteve.
Lajmi u konfirmua të martën nga burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të cilat pohuan se së shpejti do të nisë procesi gjyqësor për këtë çështje. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Kadri Dajçi, pronar i autoshkollës "Univers Vip", instruktorët e kësaj autoshkolle Qazim Hoxha dhe Jonuz Meshi si dhe 2 ish-punonjës të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor të Tiranës, Emiljano Kahu dhe Sokol Breça. Personat e lartpërmendur janë arrestuar disa muaj më parë në kuadër të operacionit "Gërshërët e Ligjit", të organizuar nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Të pandehurit dyshohen se janë përfshirë në veprimtari abuzive, duke pajisur me leje drejtimi mjetesh disa individë në shkelje të ligjit. Gjatë operacionit policor atyre iu sekuestruan edhe shumë dokumente të falsifikuara.
Skema
Sipas prokurorisë Pesë të arrestuarit përfitonin nga 65 mijë lekë për të nxjerrë një patentë. Mekanizmi i tyre është zbuluar nga agjentët e antikorrupsionit, të cilët kanë hetuar këtë grup prej disa javësh. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se pajisjen me dëshmi për drejtim automjeti, të arrestuarit e plotësonin për të gjithë të interesuarit që përpara zhvillimit të testimit kundrejt shumës së parave prej 65 mijë lekë për çdo patentë. Në të shumtën e rasteve, kursantët takoheshin me pronarin e autoshkollës, i cili është edhe punonjës policie dhe me të kryenin pazaret. Pas kësaj, ata dorëzonin të dhënat personale dhe pajiseshin me patentë automjeti, pavarësisht se nuk kishin bërë kurs dhe nuk i nënshtroheshin testimit të detyrueshëm.
Arrestimi
Arrestimi i tre zyrtarëve dhe dy pronarëve të autoshkollave u realizua disa muaj më parë nga Task-Force, në bashkëpunim me skuadrën operacione të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Policia e Tiranës detajoi në lidhje me këtë operacion se pas një hetimi disamujor, nën drejtimin e Task-Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit, duke përdorur metodat speciale të hetimit, u mundësua dokumentimi i veprimtarisë kriminale, që këta persona kryenin në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Të arrestuarit dyshohen se personave të ndryshëm u merrnin para kundrejt dhënies së një dëshmie aftësie për drejtim mjeti. Kështu, pas hetimeve dhe mbledhjes së provave, prokuroria ka prerë urdhër-arrestet për të gjithë të lartpërmendur. Atyre u janë gjetur edhe 50 patenta të plotësuara, të cilat rezultuan të falsifikuara.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›