E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë ndaj ushqimeve të kontaminuara nga Kina



Ervin Koçi

Shteti shqiptar nuk ka marrë asnjë masë për të siguruar shëndetin e konsumatorëve të tij nga produktet e pasigurta ushqimore që kanë pushtuar kohët e fundit tregjet europiane dhe amerikane. Me dhjetëra lloje produktesh të falsifikuara me origjinë nga Kina janë zbuluar kohët e fundit të jenë shpërndarë në tregjet europiane të ushqimeve. Por e keqja e tyre nuk është se ishin falsifikuar duke ua hedhur produkteve origjinale, por sepse ato ishin të gatuara me substanca sintetike dhe kimikate të rrezikshme, në pjesën më të madhe me origjinë kancerogjene. Ditët e fundit mediat më kryesore europiane kanë njoftuar për substanca tepër të rrezikshme që infiltronin në gjakun dhe plazmën e konsumatorëve që mund të konsumonin produkte të falsifikuara kineze, sidomos me origjinë shtazore. Bëhej fjalë për falsifikimin e llojeve të ndryshme të djathërave, kosit, qumështit apo dhe mocarela-ve nga më të njohurat e markave italiane, franceze dhe gjermane, të cilat ishin falsifikuar në Kinë. Ndërkohë, edhe pse vendet e BE-së kanë konstatuar të parat produktet e falsifikuara dhe kanë analizuar substancat e rrezikshme si “melamina” brenda tyre, akoma nuk dihet mirë nëse këto produkte janë falsifikuar në Kinë, apo nga kinezë që e bëjnë këtë në vende të ndryshme europiane. E në një kohë që shërbimet inteligjente europiane janë hedhur në aksion për të zbuluar se nga vjen kjo, në Shqipëri tregjet dhe supermarketet janë të mbushura plot e për plot me mallra të tilla, të cilat blihen dhe konsumohen çdo ditë nga konsumatori shqiptar i painformuar.

Produktet kancerogjene

Melamina, ngjyrosësit sintetikë, yndyra sintetike, asbesti dhe materiale të tjera poli-karbonike janë ndër substancat më të rrezikshme që ndeshen në produktet ushqimore të falsifikuara me kujdes nga “mjeshtrit” e mëdhenj kinezë. Duke nisur që nga qumështi pluhur, qumështi koncentrat, i njohur si “Panda”, qumështi koncentrat të fëmijëve, “djathërat bebe”, margarina, kosi i frutave, pijet e ndryshme freskuese, si dhe çokollatat dhe pasta e dhëmbëve, që të gjitha këto përbëjnë gamën e madhe të artikujve të ardhur nga Kina, të cilave BE-ja u ka vendosur embargon. Por këto produkte vazhdojnë të tregtohen lirshëm dhe pa kurrfarë problemi në dyqanet, tregjet dhe marketet në të gjithë vendin. Tregu në Rrugën e Kavajës, pranë Fabrikës së Bukës në Tiranë dhe ai tek ish-uzina “Dinamo”, po në kryeqytet, janë dy prej pikave, magazinat e të cilave janë të mbushura plot e për plot me produktet ushqimore e ardhura nga Kina. Janë po ato produkte të cilat edhe në vendet fqinje me ne ditët e fundit tregtarët kanë nisur që t’i asgjësojnë dhe t’i groposin. Ndërkohë, në vend, as Inspektorati Sanitar dhe ai i Kontrollit të Ushqimeve, madje asnjë prej shoqatave të konsumatorëve, nuk ka marrë asnjë nismë për të kontrolluar qoftë edhe një prej pikave të shitjes për praninë apo jo të këtyre produkteve. Përveç kësaj, as Ministria e Bujqësisë nuk e ka vënë ujin në zjarr për situatën alarmante që ka nisur në Europë.

Falsifikohen edhe ëmbëlsirat

Me dhjetëra lloje çokollatash, pastash, top-kekesh, patatinash dhe pijesh freskuese janë zbuluar si të falsifikuara nga origjinalet e tyre, duke qenë të prodhuara në Kinë dhe jo në vendet e origjinës. Alarmin e kanë dhënë të parat vetë firmat prodhuese të këtyre produkteve, që mbanin edhe ekskluzivitetin e tyre, e më pas edhe distributorët dhe përfaqësitë nëpër botë, që kishin pranuar mashtrimin.
Vetëm pak ditë më parë, gjiganti amerikan i çokollatave “Mars”, njoftoi të gjithë opinionin botëror për falsifikimin e produkteve të tij nga disa fabrika kineze, të cilat kishin përdorur në këto produkte elemente sintetike dhe kancerogjene. Nga falsifikimi ishte prekur e gjithë gama e produkteve të gjigantit “Mars”, si çokollatat “Mars”, “Snikers”, “Twix”, “Baunty”, “M&M”, “Milki-wej” etj., por dhe dhjetëra produkte të tjera jo të kësaj firme. Përveç këtyre artikujve, edhe dhjetëra lloje të tjera çokollatash apo ëmbëlsirash për fëmijë, përfshi edhe kokoshka e patatina, janë zbuluar të jenë gatuar me përbërës sintetikë dhe kimikate që stimulojnë qelizat kancerogjene.

Importet e mallrave nga Kina rriten 53 për qind në një vit

Në kushtet kur Kina po “pushton” tregjet më të mëdha të botës, nuk mund të ndodhte ndryshe në tregun shqiptar. Çmimet më të lira të produkteve, për shkak të kostos më të lirë të prodhimit se në tregje të tjera, kanë bërë që tregtarët shqiptarë të importojnë gjithnjë e më shumë nga Kina. Vitin e kaluar vlera e importeve arriti në 216 milionë dollarë, ose rreth 53 për qind më shumë se një vit më parë. Rritja e importeve nga Kina është shoqëruar edhe me rritje të peshës së importeve në total. Importet e produkteve kineze në vlerë gjatë vitit të kaluar, sipas ACIT”, përbënin 5.1 për qind të totalit të importit, ndërsa në vitin 2006 ato zinin 4.6 për qind të totalit të importit.

Tregu i hapur, Shqipëria importon edhe hudhra nga Kina

Ndryshe nga tregtia me shumë vende, importet nga Kina janë të shtrira në pothuajse të gjithë gamën e produkteve, nga prodhimet e teknologjisë së fundit deri te prodhimet bujqësore, madje edhe hudhrat. Peshën kryesore në vlerën e importeve, sipas ACIT, e zënë pajisjet mekanike dhe elektrike. Vlera e tyre vitin e kaluar (2007) arriti në gati 43 milionë dollarë. Importet më të mëdha në këtë grup mallrash janë kondicionerët dhe frigoriferët. Kina duket një treg me interes edhe për blerjen e metaleve. Sipas të dhënave nga ACIT, vitin e kaluar u importuan nga Kina rreth 31.9 milionë dollarë metale të ndryshme dhe produkte të tyre. Në sektorin e tekstileve importet ishin gati 29 milionë dollarë.

Importet kineze ua kalojnë edhe atyre të vendeve të BE-së

Krahasimi në vlerë me importet e produkteve të ndryshme nga Turqia, Greqia apo Italia mund të mos na japë një tablo reale të pranisë në sasi të prodhimeve të tyre në tregun tonë. Blerja me çmime shumë më të lira në Kinë, krahasuar me tregjet fqinje, bën që për të njëjtën vlerë importi të kemi më shumë produkte kineze në treg. Madje, në shumë raste tregtarët abuzojnë me klientët shqiptarë, duke i shitur mallrat kineze si prodhim i vendeve fqinje, për të siguruar të ardhura më të mëdha. Një pjesë e mirë e prodhimeve kineze nuk vlerësohen në treg për cilësi të lartë. Importet e pajisjeve mekanike dhe elektrike nga Kina u rritën 66 për qind gjatë vitit të kaluar. Vjet importuam rreth 17 milion dollarë më shumë pajisje mekanike e elektrike nga Kina.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›