Pyjet e Mirditës, qymyr-druri kontrabandë drejt Greqisë
MIRDITE- Banorët e qytetit të Rrëshenit dhe banorët e fshatrave përreth janë ankuar disa herë për ndotjen e ambientit. Shkak është bërë procesi i djegies së qymyr-drurit i cili çliron gaz karbonik. Në fakt, në fillim të vitit 2007, në periferi të Rrëshenit u konstatua se ishin të vendosua disa subjekte, me 120 vatra prodhim qymyr-druri. Lënda e parë me të cilën furnizoheshin këto subjekte ishin filizat e rinj të lisave. Përdorja e këtyre filizave për prodhimin e qymyr- drurit, masakronte pyjet e Mirditës, të cilat janë një pasuri e patjetërsueshme e kësaj treve. Megjithë masat që mori Drejtoria e Shërbimit Pyjor të Mirditës asokohe, e cila penalizoi subjektet e paligjshme, sot gjendja paraqitet sërish alarmante. Prerja e pyjeve dhe prodhimi I qymyr-drurit, për tregtimin e saj kontrabandë jashtë vendit është bërë një fenomen shqetësues.
Kontrabanda
Në fillim të vitit 2007, Drejtoria e Shërbimit Pyjor të Mirditës, mori masa të rrepta ndaj të gjitha subjekteve të cilat operonin veprimtarinë e tyre edhe pse afati i kontratës me DSHP-në u kishte mbaruar. Qymyri që prodhohej në Mirditë tregtohej kontrabandë në Greqi, apo vende të tjera. Vetëm një pjesë e vogël e saj mbulonte tregun vendas. Edhe në ditët e sotme, prodhimi i qymyrit të drurit nga subjektet e jashtëligjshme është në kulmin e veprimtarisë. Pas arrestimit të drejtorit të DSHP-së, Artan Miza, i cili i luftoi këto veprimtari që dëmtonin pyjet e Mirditës, tashmë, duket se asgjë nuk mund ti ndalojë më këto subjekte deri sa të masakrojnë gjithë zonën. Bizneset greke e preferojnë shumë qymyrin e drurit, sidomos nëpër lokale, ku ata pjekin mishin e skarës, si dhe për qëllime të tjera. Nëpërmjet kufirit tonë arrijnë të depërtojnë maune të tëra me qymyr druri. Fitimi i këtyre subjekteve është kolosale, duke mos dredhur ne arkën e shtetit asnjë lekë.
“Lufta”
Por lufta që drejtori Artan Miza i bëri këtyre subjekteve duket se i kushtoi shtrenjtë. Madje, Miza pak kohë para arrestimit të tij paralajmëroi në media se është kërcënuar nga subjektet të cilat ai nuk i lejon të punojnë pa kontratat e duhura me shtetin. Krerët e këtyre subjekteve, që gëzonin edhe mbështetjen e personave që kishin akses në politike, iu kundërvunë. Duke parë se ata nuk mund të ushtronin më veprimtarinë e tyre në mënyrë të jashtëligjshme, ashtu sikurse kishin vepruar më parë, ata kryen kallëzim në prokurorinë e Lezhës ku e akuzuan Mizën për mitmarrje. Tashmë çështja do të kalojë në gjykatën e këtij rrethi. Burime nga policia, të cilët kanë kryer edhe arrestimin pas urdhrit të lëshuar nga gjykata, thonë se e vetmja provë që e mban Mizën në qeli, ka të bëjë me një përgjim të jashtëligjshëm, të provokuar në terren nga ana e këtyre subjekteve. Por edhe në këtë përgjim të realizuar në mënyrë dashakeqe, Miza nuk përmend në asnjë moment të ketë marrë para prej subjekteve me të cilët atë e lidhte puna në mënyrë drejtpërdrejt. Ndryshe nga sa e parashtroi publikisht policia apo prokuroria, burime të sigurta në prokurorinë e Lezhës pohojnë se në momentin e arrestimit, drejtorit të DSHP-së së Mirditës, i janë gjetur vetëm një sasi parash xhepi. “Pas ardhjes time në detyrë, kam pasur shumë presione nga ana e këtyre subjekteve të paligjshme, për të vijuar punën e tyre në të njëjtën mënyrë”, - ka pohuar Artan Miza në vitin 2007, pak muaj para se të arrestohej. Por ai pohoi aso kohe se me gjithë presionet dhe shantazhet që ka pasur, është arritur që në Mirditë të mos kishte më asnjë vatër për prodhim qymyr-druri. Por tashmë në ditët e sotme, situata është kthyer nga e para. Subjektet vijojnë të presin pyjet në mënyrë të paligjshme, e njëherazi të abuzojnë me filizat e rinj të cilat përfundojnë si lëndë e qymyrit të drurit, kontrabandë në Greqi.
1 Tetor 2008