Çfarë duhet të bëni për t’i pasur të sigurta kursimet tuaja nëse banka falimenton
Ervin Koçi
A jemi vërtet të përfshirë nga kriza ndërkombëtare financiare, apo ato janë rrufe që bien larg çatisë sonë? Kjo është një pyetje që për çdo shqiptar, më tepër se sa një enigmë, është kthyer në një dilemë, duke u nisur edhe nga eksperienca e zezë e vitit ’97. Kjo u hap rrugën edhe mjaft pyetjeve të tjera, si p.sh.: Nëse banka jonë shkon drejt falimentimit, si mund t’i marrim paratë tona sërish? A janë kreditë tona të mbrojtura? Po investimet?
Me krizën e madhe financiare që ka mbërthyer SHBA-të këto janë disa nga pyetjet që çdo njeri i bën pothuajse çdo ditë. Nga ana tjetër, edhe pse vendi ka disa mekanizma sigurie, siç janë Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Thesari i Shtetit, fondi i emergjencës, apo dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave, përsëri qytetarët mbeten të pasigurt për situatën. Pa dashur që t’i biem kambanave të alarmit, apo të ngjajmë si Kasandra, duket se një gjë të tillë ka nisur më parë ta bëjë vetë BSH-ja. Për të disatën herë, edhe në takimin e fundit me përfaqësuesit më të lartë të sistemit bankar në vend, guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij kritik dhe paralajmërues për marrjen e masave si nga shteti, ashtu dhe nga bankat private në vend.
Çfarë tha Fullani
Sipas guvernatorit Fullani, “në rast të një prekjeje të vendit tonë nga kriza financiare globale, bankat do të përgjigjen përpara autoriteteve dhe publikut të këtij vendi”. Duket se në fjalën e tij gjatë takimit me përfaqësuesit e bankave në vendin tonë, Fullani nuk ka përjashtuar prekshmërinë e sistemit tonë bankar nga kriza globale. “Ekziston rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve europiane dhe më gjerë të pasqyrohet edhe në vendin tonë nëpërmjet uljes së prurjeve financiare nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta”, - u shpreh Fullani. Gjithashtu, guvernatori i BSH-së u bëri thirrje drejtuesve të bankave në vendin tonë që të jenë të kujdesshëm në reagimet e tyre nëse edhe vendi ynë preket nga kriza financiare globale. “Ju duhet të vlerësoni ndikimin e këtyre skenarëve në objektivat e tyre të zhvillimit dhe të merrni masat e nevojshme për mbrojtjen ndaj tyre”, - tha ai. Ajo çka në fakt mund të vlerësohet si e rëndësishme në deklaratën e numrit 1 të sistemit tonë bankar lidhet me thirrjen që u bëhet bankave lidhur me përgjegjshmërinë që kanë në rast të prekjes nga kriza globale. Sipas tij, bankat që veprojnë në Shqipëri janë përgjegjëse ndaj autoriteteve dhe ndaj publikut të këtij vend për mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre.
Agresiviteti me normat e interesit
Bankat e nivelit të dytë që operojnë në tregun shqiptar kanë norma interesi agresive mbi produktet që ofrojnë në treg. Ai vijoi më tej, duke u shprehur se “këto norma interesi vlerësohen si agresive, duke dhënë ndikim si në marzhe, ashtu edhe me potencial rreziku për sa i përket strukturës së bilancit kontabël”. Sipas Fullanit, Banka e Shqipërisë ka analizuar se hyrja në fuqi e ligjit për “Marrëveshjet e riblerjes” më 10 gusht të këtij viti, i ka gjetur të papërgatitura banka e nivelit të dytë, çka bën që çështja e lidhjes së kontratave për realizimin e marrëveshjeve të riblerjes të vihet urgjentisht në axhendën afatshkurtër të punës së bankave.
Edhe FMN-ja paralajmëroi krizë financiare
Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Gerwin Bell, pohoi pak ditë më parë se në Shqipëri bankat zotërohen nga kapitali i huaj, çka sjell që kriza financiare që ka prekur botën të reflektohet edhe në vendin tonë. “Fakti se sistemi bankar në Shqipëri është i zotëruar nga investitorë të huaj, bankat mëmë të të cilave marrin pjesë në tregun ndërbankar europian, përbën një mundësi që të reflektohen krizat nga këto tregje edhe në tregjet shqiptare. Kjo është një nga arsyet që ne e këshillojmë Bankën e Shqipërisë ta monitorojë më shpesh situatën monetare dhe financiare”, - nënvizoi përfaqësuesi i misionit të FMN-së, Bell, duke shtuar njëkohësisht, se “kriza financiare ndërkombëtare çon në ritme më të ulëta rritjeje dhe punësimi në ekonomitë e tjera të Europës, të cilat mund të ndikojnë në ulje të fluksit të dërgesave të emigrantëve”.
Ja 10 rregulla për të pasur kujdes për kursimet në banka
Sistemi financiar botëror është duke kaluar krizën e tij më të madhe që nga “Depresioni i Madh”. Ky sistem, edhe pse po mbrohet “me thonj” që të mos shkojë drejt kolapsit total, përsëri ka pësuar disa falimentime spektakolare bankash si “Bear Stearns Banc”, që është drejt fundosjes, “IndyMac Bank” falimentoi tashmë, si edhe falimentimet e rënda të “Fannie Mae and Freddie Mac” dhe të “Lehman Bros”, në një kohë që qeveria amerikane po tenton t’i nxjerrë këto banka nga balta. Ngjarjet e ditëve të kaluara kanë bërë që shumë njerëz edhe në Shqipëri të shqetësohen (me të drejtë), për kursimet e tyre të pakta që kanë në bankat private vendase. Por si duhet të sigurohen ata për kursimet e tyre dhe çfarë duhet të bëjnë për t’i mbrojtur ato, me qëllim që të mos provojnë përsëri shijen e hidhur të vitit 1997. Ja disa rregulla që duhen pasur parasysh.
1. Si mund ta marr vesh unë që banka ime mund të falimentojë?
Përgjigjja e shkurtër: Ti s’mund ta marrësh vesh. Banka e Shqipërisë dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave nuk i publikon emrat e bankave në “listën e saj të zezë”. Duke iu referuar Shoqërisë së Bankave të Amerikës, shumica e bankave që janë në “listën e zezë”, në shumë raste ia arrijnë ta marrin sërish veten pa ndërhyrje nga jashtë apo nga shteti.
2. Nëse banka ime falimenton, a do të kem unë sërish të drejtën e përdorimit të llogarisë sime bankare?
Ju do të keni shumë mundësi që përdorimi i llogarisë tuaj bankare nuk do të ketë asnjë ndërprerje, edhe sikur paratë tuaja të jenë transferuar në një bankë të re. Rregullatorët zakonisht i mbyllin bankat ditën e premte. Por zyrat e BSH-së dhe të institucioneve shtetërore do të punojnë gjatë gjithë fundjavës (në rast krize) për transferim depozitash dhe për tërheqje parash. Gjithashtu depozituesit mund t’i përdorin llogaritë e tyre bankare me ATM, karta krediti dhe çeqe. Ndërsa të hënën fillon puna bankare si zakonisht. Në raste të rralla, kur zyrat nuk mund të gjejë një blerës dhe kur një bankë e re ende nuk është krijuar, atëherë banka juaj mbyllet dhe përdorimi i llogarisë tuaj bankare do të bëhet disa ditë më vonë. Kartat e kreditit dhe ato të ATM-ve nuk do të punojnë, po ashtu edhe çeqet. Ndërsa të hënën zyrat do të fillojë të dërgojë çeqet për klientët për shumat e parave që ata kanë depozituar.
3. Janë shoqëritë kreditore të sigurta?
Të gjitha bankat tregtare private, si dhe shumica e bankave kreditore të huaja janë të sigluara te BSH-ja, por dhe mbikëqyren nga qeveria dhe agjencitë e saj. Ato shesin dhe blejnë bono thesari me këto banka, kanë marrë kredi prej tyre, dhe u kanë dhënë garanci të ndryshme në shkëmbim të parave. Po kështu institucionet shtetërore janë të detyruara që të sigurojnë kursimet e qytetarëve në bankat private, në rastin tonë është ASD-ja.
4. Po rreth investimeve të mia? Janë ato të sigurta?
Fondet e investimeve edhe ato që janë nëpër degët bankare nuk janë të siguruara. Megjithatë ato janë të siguruara nga ASD-ja dhe BSH-ja, të cilat i kanë kërkuar bankave private që të krijojnë edhe fondin e emergjencave si një garanci më tepër për të siguruar klientët për të kthyer fondet e investuara në bankat me probleme dhe në firmat që janë në andralla. Por këto institucione nuk mund të mbrojë apo të japin sërish fondet tuaja, në rast se ti humbet sepse falimenton për shkak të lëkundjeve të tregut apo kur investimet e tua dështojnë, ose kur gabon.
5. A duhet t’i heq depozitat nga një treg i ngecur?
Sigurisht që duhet t’i tërhiqni, por ama nëse ju i keni të gjitha paratë e nevojshme. Por nëse ju doni që të tërhiqeni nga tregu, planifikuesit financiarë do t’iu këshillojnë që të mbani të paktën 50 për qind të aseteve tuaja në tregun e ngecur, pasi sipas tyre, kjo do të rrisë inflacionin dhe që të mos largoheni nga tregu pa një fitim të madh, duke menduar edhe për interesat e depozitave tuja të cilat edhe ato i përfitoni në fund të fundit.
6. A janë fondet e tregjeve financiare ende të sigurta?
Më 17 shtator ne morëm lajmin shqetësues se njëra nga bankat më të vjetra në SHBA falimentoi, ose lejoi uljen e çmimeve të aksioneve deri në 1 dollar. Nga 65 bilionë dollarë të rezervave të kësaj banke, për shkak të kolapsit, ngelën vetëm 785 milionë dollarë, çka solli që të gjitha investimet e kësaj banke tani të jenë në fije të perit. Kjo është vërtet një çështje mjaft e vështirë, pasi shumë tregje vareshin vetëm nga kjo bankë. Analisti i “MSN Financës”, Jim Jubak, që vitin e kaluar e kishte parashikuar kolapsin bankar. Po ashtu pati deklaruar edhe analisti tjetër i “MSN”, Jon Markman, në rubrikën “Siguria e parave tuaja nuk është më kaq e sigurt”. Pra, vazhdoni t’i lexoni këta dy djem nëse ende s’e keni bërë.
7. Unë jam i siguruar te banka ku kam mbyllur depozitën. A vazhdoj të jem i sigurt për paratë e mia?
Po. Pasi banka ku keni mbyllur depozitën tuaj është një filial i një banke më të madhe jashtë vendit tonë. Edhe ajo i ka të siguruara në një bankë më të madhe depozitat dhe aksionet e saj. Pra kjo bankë ka shumë mundësi dhe aftësi pagimi.
8. Po rreth siguracioneve? A duhet të jem unë i shqetësuar për to?
Ju gjithmonë duhet t’i monitoroni fuqishëm siguracionet tuaja dhe mundësitë e kompanisë tuaj për të shlyer shumat që keni depozituar. Shumë kompani kanë tarifa të ndryshme, por kompanitë më të njohura ju ofrojnë juve që t’i shikoni vetë shumat tuaja dhe t’i tërhiqni ato kurdoherë. Nëse ju dëshironi t’i kaloni figuracionet tuaja nga një kompani në një tjetër, mund të keni shumë zgjedhje, por edhe mund të mos keni asnjë mundësi. Nëse ju keni një figuracion jete apo shëndeti, do ta keni mjaft të vështirë të merrni figuracione të tjera.
9. Nëse ndodh një krizë edhe për kartat e kreditit, si do të m’i kthente banka ime e kartave të kredive shumën e parave?
Kartat e kreditimeve janë mjaft të rrezikuara jo vetëm nga krizat bankare, por edhe për shkak të elementëve të tyre të pakta të sigurisë. Ja pse një pjesë e madhe huamarrësve me karta krediti mesatare dhe të këqija në shumë raste shikon se shuma e parave të tij nuk është më ajo e para. Kjo ndodh edhe për shkak të gabimeve të bankave, por edhe për shkak të hakerasve.
10. Çfarë do të ndodhë pas kësaj krize?
Asnjë nuk e di. Punët mund të marrin për keq, shumë për keq, ose për më mirë. Nëse ju doni të bëni diçka të mirë tani, atëherë, pa hezitimin më të vogël, kontribuoni në para tek KARITASI Shqiptar, apo tek Kryqi i Kuq Shqiptar. Ndërsa ne shqetësohemi se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, le të shqetësohemi për atë që po ndodh tani. Institucionet e mësipërme nuk merren me ngritjen ekonomike, por ato japin ndihma për viktimat e fatkeqësive natyrore dhe për të varfrit.
1 Tetor 2008