Arrestohet njeriu që plagosi nipin e Ben Qimes
Anxhelo Sado u prangos në Porto Palermo, ku qëndronte i fshehur prej 6 ditësh. Arrestohen edhe 3 bashkëpunëtorë
FIER- Arrestohet pas gjashtë ditësh arratie njeriu që plagosi nipin e Arben Isufajt dhe tre persona të tjerë në qytetin e Fierit. Anxhelo Sado është prangosur teksa fshihej në zonën e Porto Palermos në Himarë. Ai ishte identifikuar menjëherë pas krimit por policia nuk kishte arritur që ta arrestonte. Nga Vlora, Sado është nisur me urgjencë në drejtim të Fierit ku është marrë në pyetje nga ekspertët e policisë lokale.
Burimet e policisë pohuan se operacioni për arrestimin e tij është koduar “Zastava”. Autori është identifikuar menjëherë pas krimit të ndodhur në orët e vona të natës në qytetin e Fierit po nuk është arrestuar dot. Policia është vënë në ndjekje të tij dhe ka mundur që të zbulojë gjurmët deri në qytetin e Vlorës. Kërkimet më të hollësishme kanë zbuluar makinën e autorit të krimit, e cila ishte braktisur në fabrikën e Nish- tullave në qytetin e Vlorës. Më pas, hetuesit kanë shkuar në shtëpinë e të dyshuarit por ai nuk ndodhej aty. Edhe pse banesa është mbajtur në vëzhgim konstant, policia nuk ka mundur që të gjejë asnjë të dhënë për të. Dëshmitë e të plagosurve Ahmet Isufi, Amarildo Isufi, Tomorr Jarua dhe Gentian Mata kanë ndihmuar policinë në plotësimin e të gjithë dosjes hetimore. Në rrugë operative është mësuar edhe fakti që Anxhelo Sado mund të kishte shkuar tek disa të njohurit e tij në zonën e Himarës. Për këtë arsye i është kërkuar ndihmë policisë lokale për të verifikuar informacionin e marrë. Hetimet e mëtejshme kanë zbuluar se ai fshihej pikërisht në zonën e Porto Palermos. Hetuesit lokalë kanë pritur natën dhe rreth orës 02.10 kanë hyrë befasisht në banesën ku mendohej se ndodhej i kërkuari. Ata kanë prangosur Anxhelo Sadon teksa ai ndodhej në gjumë. Burimet zyrtare të policisë pohuan se përveç Sados janë arrestuar edhe tre persona të tjerë. Ata akuzohen se kanë ndihmuar të kërkuarin që të fshihet nga policia.