E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Keqpërdorime në buxhet me firmën e Kryeministrit

Sipas raportit të Kontrollit, gjatë vitit të kaluar, Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit u përdor pa respektuar ligjet në fuqi

Sipas kontrollit, mbi 17 milionë dollarë janë përdorur në kundërshtim me ligjin me vendim qeverie

Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit, një sasi parash që ligjërisht lihen mënjanë për të mbuluar shpenzime qeveritare të papritura, është përdorur në masë të gjerë gjatë vitit të kaluar në kundërshtim të hapur me ligjet, - njoftoi dje Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes raportit mbi zbatimin e buxhetit për vitin 2007. Me firmë të Kryeministrit, qeveria e ka përdorur Fondin Rezervë me anë të 66 vendimeve të ndryshme, por KLSH thotë se pjesa dërrmuese e këtyre vendimeve mbartin shkelje të konsiderueshme ligjore.

“Në 12 nga vendimet përkatëse, me anë të të cilave janë përdorur 332 milionë lekë, (Eur 2.72 milionë USD 3.9 milionë), dokumentacioni nuk është shoqëruar me relacionin që shpjegon arsyet se pse po përdoret ky fond”,- thotë raporti, duke bërë të ditur në këtë mënyrë se Kryeministri ka firmosur urdhra për pagesa pa një dokumentacion ligjor mbi shkakun se pse po kryhen këto pagesa. Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë e institucione të tjera kanë marrë këto fonde, të cilat KLSH nuk qe në gjendje të zbulonte se ku kishin shkuar.

“Në shtatë raste, dosjet e vendimeve të qeverisë me vlerë totale 213 milionë lekë, (Eur 1.75 milionë, USD 2.5 milionë), mungojnë preventivat e shpenzimeve dhe përllogaritjet shoqëruese nga institucionet përfituese”, - thotë KLSH. Ministria e Ekonomisë, ajo e Tregtisë, Ministria e Jashtme dhe ajo e Turizmit janë institucionet përmes të cilave këto para janë shpenzuar në kundërshtim të hapur me ligjin.

“Në 13 raste, është prekur Fondi Rezervë pa miratimin e Ministrit të Financave, në shumën 478 milionë lekë, (Eur 3.91 milionë, USD 5.6 milionë), masë që është gjithashtu në kundërshtim me ligjin”, - thotë KLSH, e cila nënvijëzon faktin se Ministria e Financave qe shprehur kundër propozimeve të ministrive për shpenzimet e këtyre parave, për shkak se i kishte vlerësuar si të pabazuara nga pikëpamja ligjore. Kjo do të thotë se me firmë të Kryeministrit, është urdhëruar shpenzimi i parave, edhe pasi Ministri i Financave ka deklaruar se po kryhej një veprim i kundërligjshëm.

Kurime jashtë pa faturë

Shkelja më flagrante e vërejtur nga KLSH duket se i përket 15 vendimeve të qeverisë me fond total 55 milionë lekë, (Eur 450 mijë, USD 647 mijë), shpenzime që janë miratuar për kurim individësh jashtë shtetit. KLSH vëren se në asnjë nga dosjet përkatëse, nuk gjenden faturat që të vërtetojnë se këto para janë shpenzuar me të vërtetë për kurime jashtë vendit. Propozimet për këto VKM patën ardhur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk e ka vrarë mendjen as të vërtetojë se paratë kanë shkuar me të vërtetë për shpenzime spitalore diku jashtë Shqipërisë.

Totali i shpenzimeve të Fondit Rezervë të qeverisë, të vlerësuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si veprime në kundërshtim me ligjin, arrin në 17.5 milionë dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›