Lançohet lëvizja Adriatik-Mesdhe
Me fondet e programit të bashkëpunimit ndërkufitar të Bashkimit Europian, (CARDS), dje në Tiranë u prezantua Iniciativa “Adriatik-Mesdhe”, një program që synon të nxisë bashkëpunimin mes vendeve që lagen nga të njëjtat dete. Projekti ka tre komponentë, nga të cilat: i pari, i përket bashkëpunimit kulturor, ku janë programuar disa koncerte; i dyti, i përket forcimit të rolit të sindikatave shqiptare në Shqipëri. Ky program realizohet nga Konfederata Italiane e Sindikatave të Punëtorëve (CISL), Rajoni Marche. Projekti synon zhvillimin dhe forcimin e sindikatave shqiptare, në terma organizimi, legjislacioni etj. Në këtë drejtim roli i sindikatave italiane, të cilat vijnë nga një eksperiencë e konsoliduar, është shumë i vlefshëm. Komponenti i tretë, i cili ka karakter institucional, lidhet me zhvillimin në Shqipëri të Asamblesë së Forumeve të Qyteteve të Adriatikut. Në këtë aktivitet marrin pjesë 48 qytete që lagen nga Adriatiku, përfaqësuesit e të cilave do të diskutojnë mbi tema si turizmi, ambienti, politikat publike etj., që të mundësohet hartimi dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta me interes për palët e përfshira.