E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e bariut, shoku arrestohet si i dyshuar

Zef Marku është njeriu i fundit që ndodhej me viktimën në momentin e vrasjes dhe i dyshuari kryesor i policisë

LEZHË- Policia e Lezhës ka prangosur dje personin e dyshuar për vrasjen e bariut 18- vjeçar Fatmir Pjetri një javë më parë. Ai u ekzekutua në mënyrë misterioze por dje policia ka mundur që të vendosë gishtin tek i dyshuari kryesor, shoku i tij Zef Marku. Në momentin e krimit, Fatmir Pjetri ndodhej së bashku me Zef Markun në vendin e quajtur Qershizë të Orishit duke kullotur tufën e bagëtive, kur dhe është qëlluar. Vetë Marku ka njoftuar policinë për atë që ka ndodhur. Pas ngjarjes, policia e ka shoqëruar Zef Markun së bashku me gjyshin e tij, të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen e Fatmir Pjetrit, ndërsa ata kanë shpjeguar gjithçka ka ndodhur atje. Sipas dëshmisë së tyre, është dëgjuar një e lehur qeni dhe Fatmiri ka shkuar në atë drejtim, por pikërisht në ato momente është dëgjuar një e shtënë arme që ka qëlluar mbi Fatmirin nga pas shpine. Por kjo dëshmi nuk përputhej me thëniet e tjera të Zef Markut. “Ai është personi që ndodhej me viktimën në momentin e krimit. Zef Marku është shoku i tij, bari, dhe gjithmonë kullosnin bagëtitë bashkë. Por gjetja e armës në një kasolle që ruhet nga Marku dhe provat e tjera në vendin e ngjarjes i hedhin të gjitha dyshimet tek ai”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, ekspertët kanë zbuluar se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk kishte asnjë njeri. “Në momentin e ngjarjes ndodheshin vetëm ata të dy. Nuk ka asnjë shenjë apo gjurmë që të kishte persona të tjerë aty”,- thanë burimet e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›