E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia i heq Shkodrës 5 Heronjtë e Vigut

SHKODËR- Monumenti historik i “5 Heronjve të Vigut” do të “zhduket” nga qendra e qytetit të Shkodrës për të përfunduar në periferi të saj. Në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak, është vendosur me 27 vota pro dhe 9 kundër që monumenti të zhvendoset tek varrezat e dëshmorëve. Drejtoresha e zyrës së urbanistikës në bashkinë e Shkodrës, Aida Shllaku, ka paraqitur propozimin duke e motivuar me planin rregullues të qendrës së qytetit. Bashkia ka paraqitur tre variante për vendosjen e re të monumentit, tek lulishtja pranë universitetit, tek lulishtja në krahun e djathtë të hyrjes të gjimnazit “28 Nëntori” dhe tek varrezat e dëshmorëve, vend ky që ka qenë dhe më i preferuari për bashkinë. Përtej diskutimeve teknike, debati është politizuar si nga këshilltarët e majtë ashtu dhe nga ato të djathtë. Këshilltaret e majtë kanë deklaruar se lëvizja e “5 heronjve të Vigut” bëhet për të denigruar veprën e tyre dhe luftën antifashiste. Ndërsa këshilltaret e djathtë kanë deklaruar se askush nuk po i denigron, do t’i zhvendosim në një vend të nderuar, pikërisht aty ku prehen eshtrat e dëshmorëve. Të dyja palët kanë bërë rolin e historianit, politikanit, atdhetarit, duke u ndarë në dy pjesë, njëra pro njohjes së kontributit të 5 heronjve të Vigut dhe pjesa tjetër kundër këtij kontributi. Pas votimit, ka fituar varianti i zhvendosjes së monumentit tek varrezat e dëshmorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›