Gjermanët: Kriza e sotme, fundi i Amerikës
Sipas Ministrit Gjerman të Ekonomisë, Peer Steinbrück, modeli i ekonomisë Anglo-Saksone ka dështuar
“SHBA-të do të humbasin rolin e tyre si superfuqi financiare, si pasojë e krizës aktuale”. Deklarata bombë erdhi dje nga Ministri Gjerman i Ekonomisë, Peer Steinbrück, i cili foli para Parlamentit të vendit të tij. “Bota financiare do të bëhet multipolare”, - deklaroi ai. Sipas tij, shkaku për krizën e sotme është fakti se SHBA-të kanë besuar me tepri te parimi i ekonomisë që vetërregullohet dhe se tani po paguajnë pasojat e politikës liberale. Ai kritikoi faktin se SHBA-të nuk morën mundimin të vendosin bankat nën mbikëqyrje më të rreptë institucionale, as pas shpërthimit të krizës së kredive me kolateral këtë verë.
Shkaku i krizës së sotme është se SHBA-të nuk kanë mbikëqyrur siç duhet bankat e investimeve, të cilat rrezikuan më tej sesa qe e logjikshme për të realizuar fitime mbi 10% në vit. Europianët dyshojnë edhe mbi faktin nëse plani i qeverisë amerikane për të përdorur 700 milionë dollarë nga taksat, do të mund ta shpëtojë tregun financiar. Edhe presidenti amerikan George Bush foli dje për ndërhyrjen e qeverisë. “Instinkti im më thotë se qeveria nuk duhet të ndërhyjë në treg, por situata aktuale është e jashtëzakonshme”, - deklaroi ai, kur përsëriti kërkesën për të miratuar fondin prej 700 miliardë dollarësh. Sipas Bush, mosndërhyrja do të shkaktojë një zinxhir efektesh negative, që mund të nxjerrin miliona amerikanë të papunë.
Sundimi i botës financiare nga ana e amerikanëve filloi në vitin 1944, kur shumica e vendeve pranoi kursin fiks të këmbimit të arit me dollarin dhe rrjedhimisht, pranoi dollarin si monedhë rezervë. Në vitin 1971, pas një lufte financiare me Francën, dollari humbi pozicionin monopol në tregun e monedhës rezervë. Me daljen e Euros, u hap konkurrenca, ndërsa kriza aktuale financiare rrezikon të me të vërtetë që bota të mos shohë më vetëm nga Nju Jorku.
Dje në Uashington, negociatorët qenë pranë një marrëveshjeje në Kongres për miratimin e planit të ndërhyrjes qeveritare. Dy kandidatët për presidentë, demokrati Barak Obama dhe republikani John McCain, ndërprenë fushatën elektorale dhe morën pjesë në negociata. Kritikët vlerësojnë se ndërhyrja me fondet e taksapaguesve, do të bëjë që fajtorët kryesorë të krizës, menaxherët e papërgjegjshëm të bankave, të shpëtojnë pa u ndëshkuar. “Instinkti im natyral është që investitorët e këqij të ndëshkohen nga tregu”, - deklaroi Bush dje, “por për shkak se rrethanat janë kaq të këqija, ndërhyrja është e pashmangshme”.
Shumë diskutojnë nëse kriza aktuale do t’i japë fund përgjithmonë politikës së mosndërhyrjes së qeverisë në ekonomi apo jo. Disa nga bankat më të rëndësishme të investimeve në SHBA pranuan javën e kaluar, për herë të parë, të vendoseshin nën mbikëqyrjen e Autoritetit Monetar, duke mbyllur në këtë mënyrë ëndrrën e tregjeve që vetërregullohen.