Rikonstruktohen tre shkolla të shkatërruara nga Gërdeci
Kompania e telefonisë celulare AMC ka kontribuar për lehtësimin e pasojave të tragjedisë nga shpërthimi në Gërdec, duke përfunduar rikontruksionin e tre shkollave të dëmtuara. Sipas përfaqësuesve të AMC-së, pasi u vlerësuan nevojat e komunitetit, u morr përsipër rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme të Vorës, si dhe të shkollës 9-vjeçare të fshatit Marikaj. Këto tre godina shkollore pësuan dëmtime të rënda, duke e bërë të pamundur zhvillimin e mësimit. AMC, bëri të mundur rihapjen e tyre, duke rikthyer në klasa mbi 2000 nxënës. Për të parë nga afër punimet e përfunduara, dje, ishte në Vorë dhe Marikaj drejtori i Përgjithshëm i AMC, Stefanos Oktapodas dhe zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, të cilët u shoqëruan nga kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili. Oktapodas, pasi shprehu keqardhjen e tij për tragjedinë e Gërdecit, theksoi se "AMC është pjesë e shoqërisë shqiptare dhe si e tillë e ndjen si detyrim të gjendet pranë komunitetit. Ne ndihemi krenarë që mundësuam rikthimin e nxënësve në këto shkolla. AMC do të vazhdojë të jetë pranë këtij komuniteti, në mënyrë që pasojat e shpërthimit të Gërdecit të minimizohen dhe situata t‘i kthehet normalitetit". Gjatë kësaj vizite, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës falënderoi AMC për përgjigjen e menjëhershme për të rikonstruktuar shkollat e dëmtuara të kësaj zone.