E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazistët e tre shkollave, këshilla karriere te Politekniku

Rreth 100 maturantë të shkollave të mesme në Tiranë ishin dje në Universitetin Politeknik, për t‘u njohur me degët e tij, para konkursit të pranimit në shkollë të lartë. "Këshillimi i Karrierës është një projekt i Ministrisë së Arsimit për të njohur të rinjtë me programet që ofrojnë universitetet dhe tregu i punës për to. Për këtë arsye, ministri Pollo ishte i pranishëm në takimin që u zhvillua te Politekniku dhe u këshilloi maturantëve të ndjekin një fakultet në degët inxhinierike. "Do të isha shumë i gëzuar nëse këtë vit maturantët me rezultate të mira ndjekin Fakultetin Mekanik, Elektrik apo degë si këto, së paku të krahasohen me rezultatet e inxhinierisë elektronike, të ndërtimit etj.". Ky mesazh vjen pas trendit të viteve të fundit, ku në këto degë futeshin maturantë me rezultate të dobëta, pasi nuk kandidonin maturantët e mirë. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgo Kacani, u angazhua për një bashkëpunim të mëtejshëm me shkollat e mesme për informimin e maturantëve rreth Universitetit Politeknik. Nxënësit e pranishëm ishin nga gjimnazet "Ismail Qemali", "Petro Nini Luarasi" dhe "Besnik Sykja. Pas takimit ata u shoqëruan nga shefat e departamenteve nëpër ambientet e Politeknikut dhe laboratorët shkencorë të tij. Atyre iu prezantuan programet e studimit, vlefshmëria e diplomës së tyre, hapësira që ajo ka në tregun e punës, kushtet e mësimdhënies që ofrohen, etj. "Ditët e gjimnazistëve në universitete" organizohen këtë vit për herë të parë dhe specialistë të MASH-it kanë hartuar edhe një program pune të ndarë në dy faza: "Profesorët në gjimnaze" dhe "Maturantët në fakultete". Pas përfundimit të turit njohës të pedagogëve në shkolla, maji do të jetë muaji i vizitave të nxënësve të shkollave të mesme në fakultete.

Qëllimi i "Këshillim Karriere" është që nxënësit, para provimeve të Maturës dhe para se të zgjedhin mes shumë fakulteteve në vend, të kenë një informacion të plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar. Kjo është një nga pikat kyçe për një vendim personal të çdo kandidati që duhet të merret në bazë të një informimi të plotë. Procesi i "Këshillimit të Karrierës" është menduar që në një të ardhme të afërt të kalojë përmes ngritjes dhe funksionimit të zyrave të Këshillimit të Karrierës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›